Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, dr. Dritan Abazoviq, ka zhvilluar gjatë javës së kaluar një vizitë pune në Tiranë, ku është takuar me ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi.
“Dëshirojmë të promovojmë politikën e paqes dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe më gjerë, por edhe të japim kontributin personal në përmirësimin e rrethanave në Ballkan”, ka theksuar Abazoviq, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Malit të Zi.
Ai ka thënë se marrëdhëniet e përgjithshme ndërshtetërore janë shumë të mira, si dhe mbështeten në parimet e miqësisë dhe bashkëpunimit, të fuqizuara përmes partneritetit në NATO, qëllimeve të përbashkëta në politikën rajonale dhe perspektivën evropiane.
Në anën tjetër, ministri Peleshi ka thënë se nuk ka rëndësi madhësia e shteteve në sistemin e sigurisë kolektive, por me rëndësi është angazhimi dhe gatishmëria e tyre për t’i kontribuar sistemit të sigurisë.
Në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri, zëvendëskryeministri i Malit të Zi është pritur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i ka ndarë atij Çelësin e Qytetit të Tiranës, një mirënjohje që iu është ndarë deri tani individëve të spikatur nga fusha e politikës dhe artit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka thënë me këtë rast se politikanët e rinj nga rajoni duhet të sjellin energji të re, të përkrahin njëri-tjetrin, të gjitha në dobi të përparimit, ndryshimit të vetëdijes te njerëzit dhe mënyrës së vjetruar të të menduarit.
Ndërkaq, Abazoviqi ka thënë se ka nder të veçantë që është njeriu i parë nga Mali i Zi, të cilit i ndahet kjo mirënjohje.
Ai ka thënë se Çelësi simbolik i Qytetit të Tiranës duhet të hapë zemrat e qytetarëve të dy shteteve, e të gjitha me qëllim të afrimit të tyre dhe thyerjes së paragjykimeve të ndërsjella.
Abazoviq po ashtu ka takuar në Durrës shkrimtarin më të madh shqiptar, Ismail Kadare, fituesin e shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare për letërsi dhe kandidatin për Çmimin Nobel.
(Kohapress)
