Bisedime për rolin e pakicave dhe situatën politike në Malin e Zi

Podgoricë – Përfaqësuesit e partive politike shqiptare janë takuar gjatë javës së kaluar me ambasadoret e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në Malin e Zi, në të cilat është biseduar për rolin e pakicave dhe situatën politike në Malin e Zi.
Në takimin që zhvilluan të enjten me ambasadoren e Britanisë së Madhe, Karen Maddox, përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Malin e Zi, Nik Gjeloshaj, Genci Nimanbegu, Fatmir Gjeka dhe Nikollë Camaj paraqiten qëndrimin e tyre mbi situatën aktuale politike në Mal të Zi dhe e informuan ambasadoren për mendimet e tyre lidhur me tejkalimin e kësaj situate të palakmueshme politike.
“Përfaqësuesit e shqiptarëve theksuan qëndrimin e përbashkët se Mali i Zi duhet të punojë edhe më shumë në përmirësimin e kursit evropian, fqinjësinë e mirë dhe respektit. Gjatë takimit, ambasadorja tha se Mali i Zi duhet të vazhdojë integrimin e tij në BE dhe të forcojë më tej partneritetin e tij me NATO-n. Ajo gjithashtu përmendi se Mbretëria e Bashkuar mbështet përfshirjen demokratike të pakicave në Mal të Zi, e cila është brenda kornizës së vlerave evropiane”, thuhet në deklaratën e përbashkët të përfaqësuesve të partive shqiptare.
Një ditë më vonë, përfaqësuesit e partive shqiptare së bashku me ata të Partisë Boshnjake dhe të partive kroate janë takuar me ambasadoren e SHBA-së në Podgoricë, Judy Rising Reinke.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ambasadorja Reinke ka bërë të ditur se temë e bisedimeve me përfaqësuesit e partive të pakicave në Mal të Zi ka qenë roli i tyre në Malin e Zi, multietnik dhe inkluziv.
“Përfshirja e pakicave në proceset politike është element i rëndësishëm i udhëheqjes së demokracisë”, ka shkruar ajo.
Takimet me ambasadoret e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe erdhën në një moment të krizës politike në Mal të Zi, kur kryeministri Zdravko Krivokapiq ka paralajmëruar rikonstruktimin e qeverisë dhe mundësinë e përfshirjes së partive të pakicave në qeveri.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat