Dekalogu i turpit i Ridvan Dibrës

Teksa lexon këtë libër përveçse dashuria për letërsinë që është në çdo fletë, shihet edhe një ankth , shqetësim që herë fshihet e herë del, me qëllim apo pa qëllim nuk është detyra jonë siç e thotë edhe vetë autori, është teksti, po ç’të bëjmë që një tekst të tillë siç mund të ketë edhe tjerë të ngjashëm, duket sikur nuk duam t’ia hapim derën, apo ngatërrojmë derë dhe i çojmë në derën e gabuar dhe kjo është ‘’vonesë e qytetërimit “

Donika Lulgjuraj

Është e vështirë kur gjendesh përballë detyrës për të përkufizuar se çfarë është postmodernizmi dhe po ashtu për t’a kuptuar. E sidomos kur ke përballë një tekst që realizon më së miri ato që ne mund t’i përmbledhim me gjithë (mosdijen tonë) tek postmodernizmi. Objekti kryesor i postmodernizmit është teksti, pikërisht drejt tij do mundohemi të shkojmë dhe uroj që të arrijmë sa më mirë tek dhjetë esetë e Ridvan Dibrës. E këtë na e bën akoma më të vështirë ajo që me të drejtë dhe që është mëse e pranueshme ajo që vet autori e thotë: se nuk është rryma letrare që përcakton shkrimin, por është vetë krijuesi , pra shkrimtari që krijon rrymën apo drejtimin.
Të fillojmë që nga ‘’Festa e romanit” , ky nuk mund t’i ndahemi letërsisë si arti i fjalës që është , pikërisht kjo që e dallon nga artet tjera, dhe lojën që ajo bën. Tek ky ese Dibra na çon të udhëtojnë në kohë, ku fillojmë që nga Servantesi me romanin e parë dhe karakteristikat e tija dhe përsëri na kthen në shekullin e XX të maja e letërsisë së vërtete. Duke na dhënë me karakteristika : Prustin, Kafkën, Xhojsin ku nuk mund të mos kemi përpara imazhin e Uliksit dhe risinë e vërtet që ai solli në letërsi, pra kemi një letërsi ku na jepet një letërsi pa fabul, dhe kështu papritur na kthen tek romani shqiptar, ku në fakt është shumë ironik kur ai e quan festa e romanit, sepse duket sikur duam vetëm të argëtohemi dhe jo të shijojmë (letërsinë artistike të vërtetë). Në krye të festës është Kadareja, si një i vetëftuar me ftesë në letërsinë shqipe. E përfshirë bashkë me :Xoxën, Markun dhe çuditërisht te festa gjejmë edhe Anton Pashkun. Pavarësisht se Pashku ndryshon shumë nga ata , sepse përveç që krijoi në një regjim shumë të ndryshëm nga ai i të tjerëve, ku romani “Oh” ngelet romani i parë i llojit të vet, për shkak të thyerjeve kohore , pra është romani i parë pa fabul. Dhe përgjigja e parë që na vjen në mendje pas pyetjes pse e përfshiri edhe atë në festë? Sepse është lajmëtari i asaj që do të vinte pas viteve ‘90-të. Dhe në fund kemi si një teori për romanin ku kërkohet një vullnet i pashtershëm ndryshe nga poetët.
Kur lexojmë “Metropoli ku Kuterbon Provincializmi” na kujtohet ajo që thotë Todorovi që “letërsia është në rrezik” dhe jo nga provincializmi në kuptimin parësor të fjalës, , por kemi një provincializëm që çdo kush don të bëhet shkrimtar , pa ditur shkronjat. Kur modernia e postmodernja përzihen e ku Kadareja, Kafka, Përfaqësuesit e Absurdit të Ri e sidomos Xhojsi futen në një thes dhe më atë thes duke përdorur edhe fjalët e autorit mbetën “ as në Perëndim e as në Lindje , pra as këtej e as anejna, e sa keq kur provincializmi vjen pikërisht nga maja e kullës së letërsisë së rremes ë e ndërtuar nga ata.
“Bashkëjetesa me Panterat” e dimë se letërsia është arti i fjalës dhe kjo pikërisht kjo e dallon nga artet tjera , pra deformimi dhe loja që ajo bën me të. Por për këtë arsye ajo është bërë si një derë kur duan të hyjnë të gjithë, dhe kriteret e hyrjes sot janë deformuar shumë , sa është bërë aq e vështirë të dallosh vlerën nga antivlera , dhe pikërisht këtu gjejmë fajtoret siç janë: media, interneti, politika, tregu, turma, moda e tre të fundit që tani duhen që janë zbehur aq shumë për arsyet e atyre që përmendëm më lartë.
E kur mungon kritika , botuesi dhe juria e mirëfillte atëherë gjendemi duke bashkëjetuar me pantera në vend që t’i luftojmë ato.
Nuk ka mundësi të mos na ngacmoj “ Dekalogu i Turpit Provincial” ku e shohim se antivlerat shiten si vlera, ku shkrimtari është i ulur në një qoshe, dhe preferon të sodisë sesi tjerët apo më mirë pseudoshkrimtarët lëpijnë këmbët e të “mëdhenjve” që t’ju lëshojnë pak thërrime , por arti i vërtete nuk ka nevojë të rendin pas çmimeve apo emrit të madh nga servilizmi, ai mund të rrijë në hije, por asnjëherë nuk humbet! E pikërisht përzierjen e vlerës me antivleren vazhdojmë t’a shofim “Mbi Rrasen e Një Varri” ku emri që lenë gjurmë në letër dhe në tinguj harrohen, ose ai kujtohet vetëm pasi ai është bërë hi, edhe sikur duan të tallën mbi varrin e tij është kujtesë aq e përhimtë sa rrezikon ta mbuloj heshtja.
Të përkufizosh postmodernizmin është sikur të kërkosh gjilpërën në kashtë , ironike, reale, e prekshme është lëmshi i çdo gjëje tek “Ironi e Një Argumenti” , ku çdo gjë ngatërrohet, apo bën një një luftë ku nuk e përkufizojmë nëse është e vetëdijshëm apo nga pavetëdija që thonë: se në të vërtete përbëhen pjesën me të madhe të vetëdijes tonë, vendet janë ngatërruar , brezat janë shpërqendruar , e rrymat duan të njihen , të ndahen , por përsëri kush t’i ndajë? Postmodernizmi jep pikërisht shoqërinë postindustriale , një shoqëri të trazuar , në kërkim të një pasqyrë për ta parë veten , e sa keq që shpesh përveç se pasqyra gënjen disa verbojnë edhe veten… E rroftë post-modernja jonë këtë më duket se shpesh mund t’a nxjerrim nga teksti.
Do të mundohem t’i bëj një përmbledhje këtyre eseve me lojëra dhe “pa të keq” më duket sikur përveç një realiteti të përditshëm që shpreh atë që e rrethon , sikur këtu kërkojmë një lexues që nuk sheh kopërtinën , më duket sikur do të donte që e gjithë letërsia të ishte pa emra , që të lexonte letërsi me L të madhe ( po përdor një mënyrë të shenjave që përdor edhe vet autori në tekst, të cilat janë shumë kuptimethenese , dhe jo të paqëllimshme) por përveçse kësaj dhe përveçse emrave të kolosëve të letërsisë që gjejmë sa të duam brenda këtyre 90-te faqeve, sikur e përmend diku pikërisht ata që nuk morën Nobël-in ,ajo që ne kuptojmë është se nuk bëjnë emrat letërsinë ,por letërsia e bën emrin . Por sa keq që përmes shkronjave të lidhura lexojmë diçka krejt tjetër, dhe “ pa të keq” sikur e pranojmë çdo ditë ne këtë, pra pikërisht fytyra e asaj që është e shihet dhe mënyra sesi ajo jepet këtu çojmë drejtë te dera e vërtetë postmodernizmit , por vallë – a thua ne duam letërsi apo emra më shumë?(!) Teksa lexon këtë libër përveç se dashuria për letërsinë që është në çdo fletë, shihet edhe një ankth , shqetësim që herë fshihet e herë del, me qëllim apo pa qëllim nuk është detyra jonë siç e thotë edhe vetë autori , është teksti , po ç’të bëjmë që një tekst të tillë siç mund të ketë edhe tjerë të ngjashëm , duket sikur nuk duam t’ja hapim derën ,apo ngatërrojmë derë dhe i çojmë në derën e gabuar dhe kjo është_ vonesë e qytetërimit “ dhe me fjalët e Xhojsi i tha një redaktori do t’a mbylli.
Le të mbesë në ndërgjegjen tonë dera që po ngarkohet, se vetëdija duket se na është ngatërruar duke i lexuar emrat…

Të fundit

më të lexuarat