Plavë/Guci – Të mërkurën e kaluar, ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar (Britanisë së Madhe) në Mal të Zi, Karen Medoks, qëndroi në vizitë zyrtare komunave të Plavës dhe Gucisë.
Në Komunën e Plavës, mysafirin e lartë e pritën dhe i dëshiruan mirëseardhje kryetari i komunës, Nihad Canoviq, kryetarja e Kuvendit të komunës, Jasmina Cikotiq, dhe sekretari i komunës, Fazllija Krciq.
Kryetari Canoviq ka falënderuar ambasadoren Medoks për vizitë dhe e ka njoftuar me ngjarjet dhe rastet historike, sociale dhe ekonomike në territorin e Komunës së Plavës.
Gjatë bisedës koncize dhe konstruktive, kryetari i komunës bashkëbiseduesen e ka informuar me aktivitetet të cilat i zbaton Administrata lokale, si dhe mbi përfaqësimin e dobët të Komunës së Plavës në Buxhetin kapital të Shtetit të Malit të Zi për vitin 2021.
“Shkalla e investimeve shtetërore duhet të jetë më e madhe. Nuk guxon të lihet pas dore Veriu. Përndryshe, edhe më tutje fuqizohen trendet negative të migrimit, papunësisë dhe varfërisë së qytetarëve të komunës sonë”, ka konkluduar kryetari Canoviq.
Ambasadorja Medoks ka shprehur kënaqësinë me rastin e vizitës së parë Plavës dhe konfirmuar qëllimin që përmes komunikimit me kryesuesit e administratave lokale të njoftohet me situatën reale mbi gjendjet dhe nevojat e banorëve lokal.
Bashkëbiseduesit bashkërisht kanë konkluduar se është me rëndësi që secili nga pozita e vet të punojë në promovimin e vlerave të cilat afirmojnë dhe më tej zhvillojnë shoqërinë tolerante dhe demokratike.
Edhe Komuna e Gucisë ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar në Mal të Zi, Karen Medoks, e priti dhe i dëshiroi mirëseardhje stafi drejtues i komunës: kryetarja e komunës, Anella Çekiq, nënkryetari i komunës, mr. Huso Brdakiq, dhe kryetari i Kuvendit të komunës, Bujar Hasangjekaj. Në takimin bilateral, në mes tjerash është biseduar mbi investimet dhe potencialet zhvillimore të Komunës së Gucisë, ku theks i veçantë është vënë në mbrojtjen e mjedisit jetësor, respektivisht projektit Zero Waste, si dhe mbi politikën e bashkëpunimit të komunës me Qeverinë e re.
Ambasadorja Medoks, ka theksuar se Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar mund të përkrahë iniciativat (nismat) më të vogla përmes fondeve të caktuara, e të gjitha në drejtim të mbrojtjes së mjedisit jetësor, gjegjësisht mënjanimet të qeseve plastike, etj.
Pas takimit, ambasadorja Medoks e shoqëruar nga Nikoqirët mikpritës, ka vizituar etno dhomën guciane të qytetares Ifeta Rashiq, si dhe Krojet e Ali Pashës.
Sh. Hasangjekaj