As vdekja nuk i tund nga vendi

Mali i Zi u gjend rrezikshëm i përfshirë në çështjet shqiptare, në mospërputhje me diplomacinë evropiane dhe sidomos mikun e vet, Rusinë. Kështu që, në fund Mali i Zi e la Shqipërinë në baltë. Pavarësisht këtij fakti, turqit u detyruan të bënin paqe me malësorët rebelë, duke u bërë atyre kaq shumë lëshime, saqë nisën të shfaqen ankesa nga popullsia myslimane e Shkodrës, që nuk ishte rebeluar

Theron J. Damon

(vijon nga numri i kaluar)
Turqit e rinj ishin të pamëshirshëm
Kur pas vitit 1908, turqit e rinj kishin miratuar Kushtetutën e tyre dhe po përpiqeshin me shumë mundime të vinin rregull në Perandorinë Otomane, trajtimi i Shqipërisë ishte një prej problemeve më delikate. Duhej të ishte bërë më me kujdes. Përmes një trajtimi delikat, përmbushjes së premtimeve dhe shfaqjes së një simpatie të drejtë për aspiratat e një race injorante por shumë të zotë, turqit e rinj do të kishin qenë në gjendje të ngrinin dhe forconin në provincën e Shqipërisë një barrierë të padepërtueshme ndaj agresionit evropian. Në vend të kësaj, ata kanë ndjekur një rrugë që është përshkruar siç duhet nga korrespondenti në Kostandinopojë i “Times”-it të Londrës, si politika e rulit me avull. Duke injoruar këshillat e çdo politikani me përvojë, turqit e rinj nxituan t’i “trajtonin” shqiptarët njësoj si fshatarët injorantë turq në Azinë e Vogël. Asnjë strategji tjetër nuk do të kish qenë më e pavend dhe më e destinuar të dështonte.
Shenjat e para të një kundershtimi u dhanë që në vjeshtën e vitit 1909, por duhej të vinte pranvera e vitit 1910 që një revoltë të merrte përmasa serioze. Më 5 prill të atij viti, shqiptarët myslimanë të skajit verilindor të Shqipërisë rrëmbyen armët kundër qeverisë. Për pak ditë rebelët mbajtën Kaçanikun, por 50 mijë trupa turke u dërguan menjëherë në rajon dhe lëvizja u shtyp. Ajo pati një karakter lokal dhe nuk kishte organizim. Shqipëria si e tërë nuk ishte qëllimi i saj.
Megjithatë, turqit e rinj menduan se kishte ardhur koha t’u jepnin një mësim shqiptarëve të pabindur. Trupat që ishin mbledhur për të shtypur kryengritjen marshuan nëpër Shqipëri. Një divizion shkoi në perëndim, në Shkodër. Ata përshkuan rrugë malore që për breza të tërë ishin mbyllur për këdo që udhëtonte i shoqëruar nga një ushtar turk, sepse shqiptarëve nuk u pëlqente uniforma e autoritetit turk. Por tani malësorët, të zënë në befasi, do të çarmatoseshin. Pas shtypjes që kishin pësuar sivëllezërit e tyre, më të paktë në numër dhe të gjendur përballë automatikëve – një tmerr i pazakontë për shqiptarët e thjeshtë – nuk kishte shpresë për rezistencë. Armët e tyre – krenaria dhe zotërimet – iu morën, dhe shqiptarëve iu “dha një mësim” mizor. Një tjetër divizion i forcave turke marshoi në jug dhe penetroi në luginat paqësore të Shqipërisë.
Në Elbasan, udhëheqësit intelektualë të Shqipërisë së Re kishin hapur një shkollë normale. Ata po përpiqeshin të përgatisnin shqiptarët që të bëheshin mësues të bashkatdhetarëve të tyre injorantë në të gjithë vendin. Përdornin gjuhën shqipe dhe, sipas votimit të një kongresi shqiptar të një viti më herët, e shkruanin këtë gjuhë – një gjuhë europiane – me shkronja latine. Nën Abdul Hamitin, çdo përpjekje për të shkruajtur apo dhënë mësim në gjuhën shqipe ishte shtypur. Vetëm në shkollat e misioneve austriake dhe italiane në veri të Shqipërisë, ku ofrohej propaganda austriake dhe italiane, dhe jashtë vëzhgimit të Sulltanit, kishte qenë e mundur që shqiptarët të studionin në gjuhën e tyre.
Sa për një alfabet, politikanët austriakë që mbështesin punën misionare të priftërinjve austriakë dhe nuk pushojnë asnjëherë së çuari përpara skemat austriake, shihnin me dyshim nga një e ardhme për Shqipërinë, liderët e të cilës të mësuar në Itali apo Austri do të bashkoheshin nga një gjuhë dhe alfabet i përbashkët. Kështu u krijua një alfabet i gjatë dhe iu ofrua fëmijëve në shkollat e misioneve austriake. Kjo do të ndihmonte për të krijuar të çara për të ardhmen, kur Austria shpresonte që do të trashëgonte këtë tokë dhe do të kishte të nevojshme të përdorte tiraninë e saj dinake për të austriakizuar shqiptarin.
Shkolla normale e Elbasanit, me alfabetin e saj latin dhe e çliruar prej propagandës së huaj, ishte një rreze drite në errësirën e Shqipërisë. Ajo nuk kishte ndarje fetare – myslimanët dhe të krishterët ishin vëllezër pa dallim. Themeluesit kishin vetëm një qëllim, lartësimin e racës shqiptare. Ata nuk ishin revolucionarë në kuptimin politik të fjalës. Ata donin të bashkëpunonin me qeverinë e turqve të rinj, dhe vetëm kërkonin që zbatimi i kushtetutës së re të kishte diçka të përbashkët me premtimet e saj themelore.
Por kur ushtarët turq erdhën në Elbasan në verën e vitit 1910, u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Të gjithë ata që shiheshin se kishin lidhje me shkollën normale apo simpatizonin përparimin e saj u ndoqën, u sollën para autoriteteve ushtarake dhe u rrahën në një mënyrë shumë mizore për t’u rrëfyer. Rrahja me thupra dhe kamxhik u zbatua për shumicën e njerëzve të iluminuar në Elbasan. Financieri i shkollës normale u fshikullua përtej çdo imagjinate. Drejtori dhe shumë prej mësuesve u arratisën. Autoritetet ushtarake kërkuan dhe rrahën personat përgjegjës për një telegram që ishte dërguar në drejtim të Kostandinopojës, ku kërkohej që mësimi në shkollat shqiptare duhej bërë në gjuhën shqipe dhe me gërma latine. Më tej ushtarët marshuan për të bërë punë të tjera “pasi kishin mbyllur atë shkollë dhe u kishin dhënë shqiptarëve një mësim për t’u mbajtur mend”.

Kryengritjet e shqiptarëve
Me kalimin e 1910, telashet nisën të shtohen për turqit në kancelaritë e Evropës, sidomos për skandalin e orgjive të ushtrisë në Shqipëri dhe mbylljen e shkollës normale, ashtu sikurse dhe për çarmatimin brutal të të krishterëve në Maqedoni. Në Evropë ekzistojnë gjithmonë disa palë, interesat politike të të cilave mund të çohen përpara duke përkrahur të shtypurit. Dhe ndonëse ishin motive hipokrite, ata që vunë në lëvizje shumë burra shteti evropianë që ndihmuan për shfaqjen hapur të këtyre ngjarjeve, e vërteta e bëmave të turqve të rinj në Shqipëri dhe Maqedoni gradualisht u bë e njohur për të gjithë.
Turku i ri ishte shfaqur tamam si biri i babait. Udhëheqësit panë që kishin bërë një gabim, por ata nuk do ta pranonin dhe ngjarjet e mëvonshme kanë treguar se nuk ndërruan mendje. Në prill 1911 ndodhi një kryengritje e malësorëve në provincën e Shkodrës, në veriperëndim të Shqipërisë përgjatë kufirit me Malin e Zi. Revolta ishte një prej përpjekjeve të parakohshme dhe të pafata të një populli të dëshpëruar dhe trim, por të përçarë, për t’u hedhur kundër zgjedhës së patolerueshme. Në vend të shndërrohej në një revoltë të përgjithshme, kryengritja mbeti e kufizuar në skajin më verior të Shqipërisë.
Patriotët e vërtetë të të gjithë Shqipërisë i hedhin tutje dallimet fetare dhe fisnore kur gjenden përballë fakteve të mëdha të një trashëgimie të përbashkët dhe kundër një zgjedhe të përbashkët. Ata, pjesëtarët e arsimuar të racës së tyre, po luftonin fort vitin që kaloi për një përpjekje të përbashkët në kërkim të drejtësisë për të gjithë Shqipërinë. Fatkeqësisht, këta udhëheqës ishin të keqorganizuar, pa financime dhe pa përvojë. Ata nuk morën mbështetje prej pjesës më të madhe të fiseve myslimane, shumë prej të cilave, megjithatë kishin qenë kaq të çarmatosur saqë nuk mund të mendonin të bashkoheshin në një rebelim. Mirditorët katolikë, një fis i fortë në jug të Shkodrës kishin pak pushkë, të gjitha të vjetra dhe ngurruan të vijnë në ndihmë të revoltës së malësorëve, deri kur ishte shumë vonë.
Mali i Zi ishte shtylla mbështetëse e kryengritjes, përmes mbështetjes që ai dhe qytetarët e tij i dhanë refugjatëve shqiptarë të cilët dimrin e mëparshëm kishin kaluar kufirin dhe që në pranverë u rikthyen në Shqipëri, gati për luftë. Në këtë mënyrë u “gropos” thika që për breza të tërë ishte hequr nga këllëfi mes sllavëve të Malit të Zi dhe shqiptarëve autoktonë.
Por, Mali i Zi u gjend rrezikshëm i përfshirë në çështjet shqiptare, në mospërputhje me diplomacinë evropiane dhe sidomos mikun e vet, Rusinë. Kështu që, në fund Mali i Zi e la Shqipërinë në baltë. Pavarësisht këtij fakti, turqit u detyruan të bënin paqe me malësorët rebelë, duke u bërë atyre kaq shumë lëshime, saqë nisën të shfaqen ankesa nga popullsia myslimane e Shkodrës, që nuk ishte rebeluar.
“Cfarë! Ju i ofroni favore rebelëve”, thanë ata. “Po kush ju ka qëndruar besnikë, pavarësisht plagëve të vjetra”. Ishte njësoj si ankesa e djalit joplangprishës. Fatkeqësisht, turku nuk mundej të zbuste fëmijët e tij besnikë, ashtu siç bëri dikur babai çifut. Sa për marrëveshjen me malësorët, nuk dihej se sa do të zgjaste.

(vazhdon)

Të fundit

më të lexuarat