Guci – Edhe Komuna e Gucisë, si ajo e Plavës, këtë vit do të sigurojë mjete të duhura materiale për blerjen e mjeteve mësimore për të gjithë nxënësit fillestarë, që mësimet këtë vit shkollor do t’i vijojnë në Shkollën Fillore “Xhafer Nikoçeviq” në Guci dhe në katër paralelet e ndara fizike katërklasëshe të saj në fshatrat: Vuthaj, Krushevë, Vishnjevë dhe Martinaj, në shumën prej 20.00 euro për çdo fëmijë, ka bërë me dije kryetarja e komunës, Anella Çekiq.
“Duke pasur parasysh se gjendja epidemiologjike e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit Covid-19 ka ndikuar në dobësimin e buxhetit familjar edhe ashtu modest, jemi të bindur se ndihma e destinuar, edhe pse e vogël, prindërve pak a shumë do t’ua lehtësojë pajisjen e nxënësve fillestarë me mjete mësimore për vitin shkollor 2021/2022. Me këtë veprim do të dëshmojmë përgjegjësi ndaj popullatës më të re e cila na është parësore”, ka theksuar kryetarja Çekiq.
Përndryshe, Komuna e Gucisë çdo vit paraprak shkollor, nxënësve fillestarë ua ka dhuruar tekstet mësimore (librat), e duke pasur parasysh se ato këtë vit janë siguruar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Sportit kemi vendosur që nxënësve fillestarë t’ua sigurojmë mjetet mësimore si shpërblim për fillim të vitit shkollor. Përveç kësaj ndihme, Komuna e Gucisë çdo vit ndan mjete në formë të bursave për studentë të dalluar, ndihma të njëhershme për fëmijë të posalindur, financon punën e klubeve sportive dhe sektorit joqeveritar dhe investon në infrastrukturën sportive, dhe në këtë mënyrë të rinjve u ofron fëmijëri të lumtur.
Nxënësit, me këtë rast, do të kenë mundësi që vet t’i zgjedhin mjetet e nevojshme mësimore në dyqanin i cili merret me shitjen e mjeteve mësimore.
“Mbi detajet dhe mënyrën e aplikimit të këtij vendimi, qytetarët do të informohen në ditët e ardhshme”, thuhet në kumtesën e Shërbimit të Marrëdhënieve me Publikun të Komunës së Gucisë.
Sh. Hasangjekaj
