Të veprohet më shumë për nevojat e personave me invaliditet

Tuz – Një hulumtim i realizuar nga OJQ “Fëmijët e Malit të Zi”, ka nxjerrë në pah nevojën për të diskutuar më shumë për të drejtat e personave me invaliditet, dhe për të vepruar bashkërisht në fuqizimin e bashkëpunimit me institucionet publike, që personat me invaliditet të jenë më evident në Komunën e Tuzit, por edhe në Komunën e Ulqinit dhe atë të Tivarit.
Këtë konstatim e ka arritur OJQ “Fëmijët e Malit të Zi” përmes një hulumtimi me opinionin e gjerë dhe me të punësuarit në institucionet publike të tri komunave: Tuzit, Ulqinit dhe Tivarit, në kuadër të projektit “E drejta për jetë dhe pa diskriminim” të mbështetur nga Ministria e Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave.
Në një intervistë për Gazetën “Koha Javore”, drejtoresha ekzekutive e kësaj shoqate, znj. Sabra Deceviq, tha se personat me invaliditet kërkojnë realizimin e të drejtave të tyre më së shumti në sferën e punësimit, të mbrojtjes shëndetësore dhe të asaj sociale.
“Këtu përmendet shumë edhe infrastruktura e parregulluar në këto tre qytete dhe qasja në institucione publike, që paraqet problem shumë të madh që personat me invaliditet t’i realizojnë të drejtat e tyre bazë. Gjithashtu, informimi është një aspekt tjetër problematik, sepse secili person i ka nevojat e veta dhe duhet të gjendet mënyra që t’i përshtatemi secilit veçmas”, shprehet Deceviq.
Sipas saj, OJQ “Fëmijët e Malit të Zi” dhe Komuna e Tuzit kanë punuar në hartimin e planit lokal të veprimit për mbrojtjen nga diskriminimi të personave me invaliditet.
“Në këtë aspekt, me Komunën e Tuzit vazhduam bashkëpunimin që ka për qëllim monitorimin e planit lokal të veprimit dhe realizimin e aktiviteteve të parashikuara me atë plan. Në korrik të vitit 2021, organizuam një trajnim dyditorë për anëtarët e grupit punues, të përberë nga pjesëmarrës të Komunës, Entit për Punësim, Qendrës Sociale, Shkollës së Mesme të Përzier dhe Shkollës Fillore, si dhe me perfaqësues të dy shoqatave për të drejtat e personave me invaliditet”, thekson Deceviq.
Ajo më tej tregon se grupi punues do të vazhdojë punën në shtator, ku janë planifikuar disa mbledhje, me qëllim që të arrihet deri te zgjidhja dhe realizimi i disa aktiviteteve.
“Me këtë projekt është paraparë që të bëhet edhe një hulumtim, ku do të vihet re se cilat shërbime në Komunën e Tuzit ekzistojnë për personat me invaliditet, si dhe do të jepen rekomandimet për secilin institucion, në mënyrë që të lehtësohet arritja e disa të drejtave”, thotë Deceviq.
Ndërkaq, ajo shprehet se pozita e shoqatave joqeveritare duhet të fuqizohet dhe të mbështetet me një bashkëpunim edhe më të frytshëm me institucionet publike lokale.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat