Podgoricë – Presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka zhvilluar të shtunën vizitën e tij të parë zyrtare në Mal të Zi.
Ai është mirëpritur në aeroportin e Gollubovcit nga zëvendëskryeministri, Dr. Dritan Abazoviq, ndërsa më pas ka takuar në Cetinë homologun e tij malazez, Millo Gjukanoviq.
Erdogan ka falënderuar për mikpritjen dhe ka theksuar se Turqia është ndër dhjetë vendet kryesore investuese në Mal të Zi.
Ai ka thënë se beson që vendi së shpejti do të bashkohet me Bashkimin Evropian, duke kujtuar se Turqia e kishte mbështetur atë për anëtarësimin në NATO.
Në fjalën e tij Erdogan ka thënë se shpreson që Turqia dhe Mal i Zi ta tejkalojnë krizën e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.
“250 milionë dollarë janë qëllimi kur bëhet fjalë për tregtinë, të cilën ne e përcaktuam në takim dhe mbi të cilin do të vazhdojmë të punojmë. Sektori privat turk ekziston në Mal të Zi dhe vendi ynë është ndër dhjetë vendet e para që investojnë në Mal të Zi. Vlera e projekteve që Turqia ka zbatuar në Mal të Zi është mbi 20 milionë”, ka thënë ai.
Për nder të mysafirit të lartë nga Turqia dhe bashkëshortes së tij, Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq dhe bashkëshortja e tij kanë shtruar një drekë solemne, ku përveç anëtarëve të delegacioneve kanë qenë të pranishëm edhe zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq, kryetari i Cetinës, Aleksandar Kashqelan, kryetari i Partisë Boshnjake, Ervin Ibrahimoviq, dhe Reisi i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat Fejziq.
Gjatë vizitës së tij në Mal të Zi, Presidenti i Turqisë është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi. Mr. Aleksa Beçiq dhe kryeministrin Prof. dr. Zdravko Krivokapiq. Ai po ashtu është takuar edhe me deputetët e partive shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi, Genci Nimanebgu dhe Fatmir Gjeka. Erdogan ka vizituar Xhaminë e Nizamëve dhe Medresenë “Mehmed Fatih” në Tuz.
Vizita e Erdoganit cilësohet me rëndësi të veçantë në kohën kur Mali i Zi dhe Turqia po zhvillojnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe bashkëpunim në të gjitha fushat. Një ditë më parë, Presidenti i Turqisë qëndroi në vizitë zyrtare në Bosnjë e Hercegovinë.
(Kohapress)
