Ata nuk lanë asnjë pusull për përjetimet e veta

Hajro Ulqinaku

(vijon nga numri i kaluar)

Halit Beci:
*Tanë t’parët tonë kanë qenë detarë.
*Kemi heqë keq nepër det, tash isht knaqsi.
*Pasanikët ma të mëdhenj me barka kanë qenë në Mëhallë të Re dhe në Mera.

  • Më merr malli për det, por vjetët!… E kam detin afër, dal në breg, në Ranë dhe e heq mallin. Kohën e kaloj me pensionistët: tregtarë, esnafë, detarë, me shokë të moçëm.

Kapidan Muzavid Bilali:
Oqeania – është
Parajsa e Tokës
Shumë lundrime të gjata ka bërë kapidan Muzavidi, që nga Evropa, nëpër Afrikë, Azi, e deri në Amerikën Jugore, të Mesme dhe Veriore. Kur ka qenë i mbyllur Kanali i Suezit, duhej të sillej rrotull Afrikës, nëpër Kepin e Shpresës së Mirë, për të dalë në Shangai… Shumë herë ka bërë lundrime të gjata, rrugë rreth botës. Nga Mediterani ka dalë në Amerikën e Mesme, Kubë, pastaj nëpër Kanalin e Panamasë, për t’u nisur në Japoni, Kinë, e pastaj nëpër Kepin e Shpresës së Mirë, prapë të kthehet në Evropë. Lundrimet shpesh kanë zgjatur nga 4-5 muaj. Një herë ka lundruar plot 22 muaj, pa u kthyer në Ulqin. Gjatë shkollimit, gjatë lundrimeve, i ka mësuar disa gjuhë botërore: anglisht, italisht, spanjisht… Shumë momente të gëzueshme i ka përjetuar si detar, lundrues, kapidan Muzavid Bilali. Kapidani i ri me kënaqësi tregon për vende ekzotike, sidomos nga Amerika e Mesme e Jugore: Brazili, Kuba, Panamaja…

  • Në lumin Rio-de-la-Plata, në Porto-Riko, Oqeani – është Parajsa e Tokës – thotë detari me përvojë.

Kapidan Skender
Nimanbegu: Ka ëndërruar
të bëhet detar, kapidan

  • Ne jemi gjashtë vëllezër. Unë gjithmonë kam shkuar me babën (Nimanin II) me barkë. Shkoja me të në Tivar, Kotorr, e deri në Dubrovnik. Çonim bostan. Barka ishte e tipit të lundrave.
    Kur e kam mbaruar filloren, ia shpreha dëshirën babës, të shkoja në shkollën e detarisë. Baba mu përgjigj: - Gjashtë djem ju kam, tju shoh të gjashtët të rreshtuar me arka, si pastrues të këpucëve, më i kënaqur do të isha se të shkoni në det!
  • Me vaporin “Bar” u nisëm për Aleksandri (Egjipt), pastaj për Amerikën Latine: Kuba, Meksiko dhe kthim. Lundrimi ka zgjatur tetë muaj (shkuarje – ardhje), e tërë viaxhoja. Lundrimi ka qenë jashtëzakonisht i zorshëm. Në mes të Atlantikut na kap furtuna e madhe. Na prishet motori, pëson avari. Valët – si male. Sa sna përpin oqeani. Kapiteni më thotë t’i shpërndaj ekuipazhit matrikullat. Që, pasi që po mbyteshim, secili të identifikohet, o gjallë o vdekur. Moment tronditës. S’harrohet. Vapori ishte i gjatë 140 m. Me 10.000 tonë barrë dukej si një lëvozhgë arre në mesin e valëve përbindësha mbi kokë. Anijen më të afërme, për të na ndihmuar, e kishim 700 mile larg. Kapidani e luti vaporin: ”Hajde, plakush, qëndro edhe një herë!”. Dhe, për mrekullinë e Rodonit, vapori kërciti, thuajse do të thyhej - u ngrit mbi valë. Shpëtuam. Atëherë ka vendosur ta lërë detin e të dalë në tokë. Ishte ai një çast prekës dhe vendimtar i kapitenit të ri. Fëmija yt stë do
  • Isha në viaxho për në Venecie. Kur kaloj pranë brigjeve të Ulqinit, e ndali shpejtësinë e vaporit; me radiolidhje i lajmërohem gruas, në Kala, dhe i them që të dalë në Korçulla, ta shoh vajzën e parë të mitur dhe ti marr në lundrim. Në mol të Korçullës ishin plot njerëz. Në atë mori e shoh gruan me vajzën ngrykë. Kur ma jep gruaja vajzën, fëmija im s’më njeh. Më shtyn - si të huaj. Mu duk sikur të gjithë ata pasagjerë, turistë, njerëz në atë mol, me një zë, më thanë, më akuzuan: “A e sheh, as fëmija yt s’të njeh! As fëmija yt s’të do. Sepse: ti s’e do familjen tënde. Ti e do më shumë detin!?”
  • Në atë çast vendosa ta lëshoj vaporin, ta lë detin, të dal në tokë. T’i përkushtohem familjes sime. Ashtu u bë.
    Si konkluzë, nga përvoja, thotë: Tash është lehtë të lundrohet. Vaporët janë të mëdhenj. Orientimi bëhet me radarë e satelitë. Kapidani i vërtetë rri në tokë dhe, merret me tregti.
    Po – baba, ndjesë pastë – ka pasur të drejtë…

Gani Vogliqi: Edhe e
bukura e ka fundin e vet
Gani Vogliqi tregon se ka punuar në shërbime hoteliere, andaj edhe ka lundruar gjithandej rruzullit tokësor, me botë të të pasurish, me supervaporin luksoz “Queen Elizabeth 2“ dhe na e jep një panoramë të atij hoteli gjigant – qytet i cili lundronte rreth botës. Ai “qytet-hotel në det” ishte i gjatë mbi 300 m, mbi 40 m i gjerë dhe 60 m i lartë. Ekuipazhi ishte prej 1225 vetësh. Kapacitetin e kishte 3 000 turistë. Një apartament “de lux” kushtonte 6 000 US$, më e lira kabinë 1 800. Vijat kryesore të asaj “flote të bardhë” ishin: ishujt Bahama, Karaibet, Xhamajka, deti i Meksikës, Brazili.
Një viaxho bënte 9 ditë e net.

  • Udhëtimet rreth botës ishin: rreth Amerikës Jugore, nëpër Oqeanin e Qetë, deri në Australi, Zelandë e Re; pastaj nëpër brigjet lindore të Azisë, në jug të Afrikës, kah Perëndimi dhe prapë në Mesdhe nëpër Gjibraltar etj. Lundrime të gjata, atraktive, por – të mundimshme. Duhet shumë punë, pa pushim, ndonëse fitohej fort mirë…
    Por edhe e bukura e ka fundin e vet.
    Ganiu ka kaluar nëpër 100-150 porte në vit. Në atë supervapor ka punuar nga viti 1986 deri 1989. Tri herë i ka rënë rreth botës.
    Gani Vogliqi shpesh lavdërohet me kënaqësi: Marko Polo ka lundruar vetëm një herë rreth botës, ndërsa unë i kam rënë tri herë rreth globit tokësor!
    Kujtimet e bukura zgjasin shkurt.

Kapidan Maksud Tivari:
Si lundrohet sot

  • Sot, si kapidan, pas 37 vjetësh, navigimin – lundrimin e bëj me tre radarë, me ndihmën e dy satelitëve në qiell, për të përcaktuar vendin, pozitën në detin (oqeanin) e hapur. Lundroj me vapor, me “menaxhment” të Anglisë. Lundroj me flamur të Liberisë, ose të Panamasë, për të paguar taksa më të vogla. Quhet “flamur i shitur”. Në këtë kompani ku jam, pronari është çifut, i cili ka 100 vaporë, prej 25.000 deri 202.000 tonelatash. Unë jam i specializuar për anije tregtare me “mall gjeneral”.
  • Duhet të kthehem (mendon: të shkoj prapë në anije!) në nëntor, që të kthehem në Ulqin në verë, sepse: që 10 vjet s’e kam bërë verën në Ulqin! – flet kapidani i rryer si me mall.
    S`ka vend më i bukur se Ulqini! “Ulqini – florini” – kat s’thonë!
    Traditën duhet krijuar
  • Detarinë e kanë lënë: italianët, spanjollët, norvegjezët, suedezët… Tash e kanë kapur detarinë shtetet si Burma, Filipinet – dhe ma tregon një foto.
  • S`është më detaria siç ka qenë! – shprehet ai, si me një rezignim.
    Biseda përfundon për traditën detare të farefisit, familjes së tij dhe të traditës ulqinake, në përgjithësi.
  • Ne – konkludon kapidani – me të vërtetë e kemi traditë detarinë, por, siç ka thënë Xhorxh Eliot (romani aq i njohur ”Mulliri në Flosë”): “Traditën mund ta kemi, por tradita s`është trashëguese, atë duhet krijuar; duhet përvjelë mëngët, duhet punuar; traditën duhet krijuar – fituar.”

Kapidan Nazif Shabani
Për veten, kapidan Nazifi thotë si kapidan Matlija: “Do të lundroj derisa ta kem shëndetin.”
…dhe, me mburrje tregon se është: “Il capitano di lungo corso”.
Ata nuk lanë asnjë pusull për përjetimet e veta.
(Fund)

Të fundit

më të lexuarat