Ndau fletëfalënderime për shoqatat nga Diaspora

Plavë – “Njerëzit shkojnë, veprat mbeten. Ndihma e pakursyer nga lugina e Plavë-Gucisë dhe kujdesi i shprehur për vendlindjen e vet gjatë pandemisë së koronavirusit Covid-19, edhe një herë ka vërtetuar se Plava dhe Gucia me të drejtë krenohen me njerëzit mërgimtarë nga Diaspora dhe se përherë mund të llogarisin tek ata”, ka theksuar kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, gjatë ndarjes së fletëfalënderimeve shoqatave nga Diaspora për solidaritet dhe ndihmë humane ndaj bashkëvendësve në kohën e valës së parë të përhapjes së koronavirusit Covid-19.
Fletëfalënderimet u janë dorëzuar kryetarit të Bashkësisë Islame të Plavë-Gucisë në Nju Jork, Haxhi Smajl Srdanoviqit, kryetarit të Fondacionit “Gusinje”, Xhavid Kastratit, dhe përfaqësuesit të Shoqatës Humanitare “Euro Gusinje”, Mihret Radonçiqit, nga kryetari i komunës, Nihad Canoviq, dhe kryetarja e Kuvendit të Komunës, Jasmina Cikotiq.
Bashkëbiseduesit në veçanti kanë theksuar faktin se janë krenarë që me rastin e ndarjes së ndihmës nuk është marrë parasysh as përkatësia fetare e as ajo nacionale, por vetëm se a është familja në nevojë të gjendjes sociale apo jo, dhe se kështu do të jetë edhe në të ardhmen.
Gjatë bisedës është konkluduar se shumë gjëra pozitive mund të realizohen në dobi të banorëve lokalë, kur ekziston vullneti dhe bashkëpunimi i ndërsjellë kualitativ, dhe se raportet e qeverisjes lokale dhe diasporës në vazhdimësi përmirësohen, e këtë e dëshmojnë projektet që së bashku realizohen me sukses.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat