Viti i ri shkollor do të fillojë më 1 shtator 2021?!

Podgoricë – Ministria e Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Sportit ka njoftuar se përkundër përkeqësimit të situatës epidemiologjike në Mal të Zi, viti i ri shkollor do të fillojë më 1 shtator, duke i respektuar masat epidemiologjike.
Në takimin e fundit të zhvilluar të hënën ndërmjet përfaqësuesve të MASHKS-së dhe Institutit të Shëndetit Publik është rënë dakort që orët mësimore të zgjasin 30 minuta, punonjësit dhe fëmijët gjatë procesit mësimor duhet të mbajnë maska, fëmijët në shkollë mund të marrin ushqimin dhe pijet e veta, por duke mos i ndarë me fëmijët tjerë, gjatë pushimit të gjatë fëmijët duhen të dalin jashtë dhe nuk kanë obligim të mbajnë maskë, gjatë hyrjes në shkollë iu matet temperatura personelit mësimor dhe fëmijëve si dhe bëhet dezinfektimi i duarve. Si alternativë për ata që nuk duan të mbajnë maskë është ndjekja e mësimit online.
Nga MASHKS kanë thënë se rekomandimi i UNICEF-it dhe i OBSH-së është që shkollat duhet të jenë institucionet e fundit që duhet të mbyllen në rast të përkeqësimit të situatës epidemiologjike.
Megjithatë, duke pasur parasysh situatën epidemiologjike, ashtu si edhe deri tani, MASHKS do të ndjekë rekomandimet e ISHP-së dhe të institucioneve përgjegjëse për këtë fushë, duke pasur prioritet shëndetin e fëmijëve dhe të punësuarve.
“Në qoftë se vjen te hyrja në fuqi e masave më të ashpra, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të fëmijëve dhe punonjësve, Ministria është e përgatitur edhe për skenarin më të keq, e ai është kalimi në mësimin online. Janë regjistruar 8 302 përmbajtje mësimore, për shkollat fillore pothuajse njëqind për qind të lëndëve, kurse për shkollat e mesme pjesa më e madhe”, thuhet në njoftimin e MASHKS-së.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat