Ditëve të fundit fatkeqësisht ka pasur shtim të vatrave të zjarrit nëpër lokacione të ndryshme brenda shtetit, dhe kësaj fatkeqësie padyshim se i kontribuon edhe të nxehtit, përkatësisht temperaturat e larta që arrijnë afro dyzetë gradë të shkallës celsius.
Zjarret nuk janë një fenomen i ri tek ne, ato pothuajse çdo vit në stinën e verës shpërthejnë në vende të ndryshme, ku përfshijnë male me pyje, fusha me kullosa, etj, duke rrezikuar edhe objekte të ndryshme dhe shtëpi banimi.
Shkaqet për këto vatra zjarresh që janë shtrirë në vende të ndryshme të globit mendohet të jenë ndryshimet klimatike. Mirëpo, ajo që mund të thuhet dhe që është konstatuar nga autoritetet dhe institucionet, është fakti se vatrat e zjarreve kanë si shkaktar edhe faktorin njeri, zjarrëvëniet e qëllimshme.
Këto vatra zjarresh jo vetëm që mund të jenë të papërballueshme nga struktrurat e mbrojtjes, të shpëtimit dhe të zjarrfikësve, por ato gjithashtu shtojnë vapën, edhe ashtu përvëluese të gushtit dhe kundërmojnë erë të pakëndshme tymi me copëza hiri që dalin nga flakët e përhapura në një shtrirje të gjerë sipërfaqësore.
Këto zjarre, përveçëse shkaktojnë dëme të pakompensueshme në resurset natyrore, ato gjithashtu rrezikojnë apo në disa raste dëmtojnë objekte të ndryshme banimi, ashtu edhe ato afariste.
Zjerrëvëniet e qëllimshme duhet të hetohen nga organet kompetente, të zbulohen autorët e këtyre veprave penale, e rrjedhimisht edhe të marrin dënimin e merituar sipas ligjit.
Në lidhje me përhapjen e vatrave të zjarrit të cilat nuk kanë kursyer as zonën e Malësisë, ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi, duke apeluar tek qytetarët që me raport të përgjegjshëm kundrejtë natyrës, të kontribuojmë në zvogëlimin e numrit të zjarreve. Njëkohësisht, nga kjo ministri kanë njoftuar se do të bëjnë monitorimin e territorit të Malit të Zi nga ajri, me helikopterët e MPB-së, nëpërmjet droneve, me kamerat më bashkëkohore.
“Gjithashtu, zyrtarët e Drejtorisë së Policisë do të shtojnë aktivitetet nëpër hapësira me shtim të rrezikut nga zjarret, me qëllim të gjetjes dhe ndjekjes penale të individëve të cilët shkaktojnë zjarre në ambient të hapur, dhe do t’u ofrojnë asistencë shërbimeve të mbrojtjes, për të mundësuar kalueshmëri drejt sipërfaqeve të djegura”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ndërkaq, edhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka ftuar qytetarët që në ditët në vijim të përmbahen nga ndezja e zjarreve në ambiente të hapura.
Gjithashtu, nga ky dikaster i lusin qytetarët që të raportojnë për shfaqjen e zjarrit dhe për autorët e këtyre akteve në numrin e kontaktit 112, përkatësisht, Qendrën Operative-Komunikuese të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
t. u.
