Plavë – Me faljen e namazit të xhumasë, në sheshin e qytetit në Plavë, të premten më 13 gusht 2021, u shënua 550-vjetori i ekzistimit të Xhamisë Perandorake (Carska Džamija).
Xhamia Perandorake në Plavë është ndërtuar në vitin 1471. Në popull është e njohur edhe si Xhamia e Vjetër ose Xhamia prej druri. Konsiderohet si xhamia më e vjetër në kohën e Perandorisë Osmane në Mal të Zi, andaj si e tillë paraqet vlerë të paçmuar të qytetit të Plavës, Bashkësisë Islame në Mal të Zi, si dhe vetë shtetit të Malit të Zi. Këtë vit mbushen 550-vjet të ekzistimit të kësaj xhamie.
Me faljen e namazit të xhumasë, të premten që shkoi, në sheshin e qytetit në Plavë, Bashkësia Islame në Mal të Zi ka shënuar këtë jubile të rëndësishëm.
Në hutbën e xhamisë në fjalë, reisi i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat ef. Fejziq, në fjalën e rastit ka thënë se “Xhamia me shekuj tubon dhe mëson të ruajmë Dinin, Namazin dhe traditën tonë”.
“Sot përkujtojmë veten se me namazin e xhumasë ruajmë atë që ne na ka ruajtur me shekuj dhe do të ruaj gjenerata pas nesh. Mirëmbajtja e xhamisë është shenjë e besimit në Allah (Zot) dhe në ditën e gjykimit. Frika nga Allahu është siguria më e madhe”, ka theksuar reisi Fejziq.
Ai ka konfirmuar se rajoni i Ballkanit e din se shumë plavjanë dhe gucianë janë të shpërndarë anembanë botës duke kërkuar fatin për një jetë më të mirë.
“Dihet mirëfilli se kjo xhami dhe shumë të tjera, kanë mbetur në zemrat e mërgimtarëve përtej oqeani. Kjo xhami është më e vjetër se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku shumë besimtarë tanë kanë gjetur shtëpinë e vet të re. Ajo duhet t’u jetë përkujtuese që të mos harrojnë vendin ku kanë lindur, kudo që janë dhe kudo që jetojnë. Shumë paraardhës tanë, kanë dhënë jetën e vet që ne sot t’i kemi këto xhamia. Këtu kanë vdekur, që ne të jetojmë. Prej këtu janë shpërngulur që ne të jetojmë”, ka përkujtuar reisi Rifat ef. Fejziq.
Në faljen e namazit të xhumasë, kanë qenë të pranishëm disa qindra besimtarë nga Plava e Gucia dhe më gjerë, si dhe një numër i madh imamësh nga Mali i Zi.
Sh. Hasangjekaj
