Prishtinë – Deputeti i Listës Shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi, Genci Nimanbegu, është pritur të premten nga ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla, me të cilin kanë biseduar për tema të ndryshme.
“Kënaqësi të veçantë paraqet fakti që zhvillohet takimi i dy përfaqësuesve të dy politikave shqiptare në rajon dhe në të kulminon dialogu me vlerësime dhe mendime të njëjta apo të përafërta mbi situatën në rajon, zhvillimet politike dhe bashkëpunimin të cilin duhet ta rrisim në të ardhmen”, ka shkruar Nimanbegu në një postim në rrjetin social Facebook.
Ai ka thënë se vizioni politik dhe shembulli personal, si i Sveçlës dhe i subjektit nga ai vjen, është ofertë politike që ka marrë vlerësimin e qytetarit në Kosovë.
“Këtë shembull pune duhen ta ndjekin apo rrisin edhe subjektet kombëtare shqiptare në Malin e Zi si politika të përgjegjshme dhe largpamëse. Qytetarit i nevojiten proceset politike që zhvillojnë pozitivisht jetën e tyre, duke i dhënë vlerë të shtuar kulturës, shoqërisë, zhvillimit ekonomik dhe shtetit në përgjithësi”, ka theksuar Nimanbegu.
Ai ka thënë se e ka shfrytëzuar rastin që ta falënderojë Sveçlën për bashkëpunimin shembullor që kanë pasur gjatë fillimit të pandemisë në vitin 2020, në rikthimin e qytetarëve të Malit të Zi që gjendeshin në Kosovë, në kohën derisa Nimanbegu ushtronte pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Malit të Zi,
“Gjithashtu e njoftova me zhvillimet aktuale politike në Mal të Zi. Ndër të tjera theksova, si propozuesi i vetëm i këtij ligji, Ligjin mbi kthimin e Valdanosit, që është punë e vazhdueshme dhe e suksesshme e jona. Ndër të tjera, theksova edhe aktivitetet e Forcës në përgatitjen e Kuvendit zgjedhor, që duhet të mbahet në shtator të këtij viti”, ka shkruar Nimanbegu.
Deputeti i Listës Shqiptare ka theksuar se në takim me Sveçlën ka veçuar bashkëpunimin që ky koalicion, të cilin e përfaqëson në Kuvendin e Malit të Zi, po e bën me synim të rritjes së bashkëpunimit në të ardhmen në nivel edhe më të lartë e funksional midis subjekteve të këtij koalicioni, si lidere e proceseve politike në dobi të shqiptarëve në Malin e Zi.
“Ndër shumë tema të biseduara dhe mendime të shprehura është shprehur gatishmëria e vazhdimit të bashkëpunimit tonë në të ardhmen”, ka konkluduar Nimanbegu.
(Kohapress)
