Plavë – Delegacioni katër anëtarësh i Komunës së Ilixhes të Bosnjës dhe Hercegovinës, në përbërjen: kryetari i Komunës, Nermin Muzur, kryesuesi i Këshillit të Komunës, Tarik Stambolliq, ndihmësi i Shefit për financa, Benjamin Mesak, dhe rektori i Universitetit të Sarajevës, prof. dr. Rifat Shkrijel, të premtën e kaluar, më 06 gusht, qëndroi në vizitë zyrtare njëditore në Komunën e Plavës.
Ata i priti dhe u dëshiroi mirëseardhje kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, me bashkëpunëtorët e vet – kryetaren e Kuvendit të Komunës, Jasmina Cikotiq, sekretarin e Komunës, Fazlija Krciq, si dhe me mikun e përbashkët të Plavës dhe Ilixhes, Sead Shahman.
Kryetari i Komunës, Nihad Canoviq, shprehi kënaqësinë për vizitën e parë zyrtare të delegacionit katër anëtarësh nga Ilixha, Komunës së Plavës, duke shprehur bindjen që konkluzat nga takimi dypalësh do të jenë vetëm hap kah realizimi i bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të dy komunave në fjalë.
“Janë shumë tema të përbashkëta të cilat mund të jenë komcë (lidhëse) në mes të dy komunave tona mike. Me rëndësi të jashtëzakonshme është që të bashkëpunojmë dhe të këmbejmë përvojat pozitive nga të gjitha fushat me rëndësi për zhvillim të bashkësive tona lokale. Takimin e sotëm e shoh si rast që të konkretizojmë planet për formalizimin e bashkëpunimit të ardhshëm”, është shprehur Canoviq gjatë takimit.
Ai mysafirët i ka njoftuar me ngjarjet aktuale në komunë, me projektet dhe investimet të cilat kohë më parë janë realizuar, si dhe me planet për zhvillim të mëtejmë të Plavës.
Bashkëbiseduesit gjatë bisedave konstruktive, kanë këmbyer informatat mbi gjendjet financiare në të dy komunat, si dhe mënyrat për tejkalimin e provokimeve në këtë fushë.
Në takim, në mes tjerash, është bërë fjalë edhe mbi avancimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit, bujqësisë, kulturës dhe sportit.
Mysafirët nga Ilixha dhe nikoqirët nga Plava, në takimin miqësor kanë biseduar edhe mbi qëllimin e përbashkët që në kohë sa më të afërt të përgatitet protokolli për bashkëpunim, i cili do të jetë bazament për të gjitha aktivitetet e mëtejme në mes të dy komunave.
Shaban Hasangjekaj
