Shkurtohet distanca midis Gucisë e Plavës dhe Tuzit e Podgoricës

Pika e re e përbashkët e kalimit kufitar ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë, Cemi i Triepshit – Grabom, është hapur solemnisht të martën.
Pikën e re kufitare e kanë hapur kryeministrat e Malit të Zi dhe Shqipërisë, Prof. dr. Zdravko Krivokapiq dhe Edi Rama, në prani të të ngarkuarit me punë të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Malin e Zi, Herman Shpic.
Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, ka thënë se “pikërisht falë qëllimit të përbashkët drejt Bashkimit Evropian shohim pika të përbashkëta të kalimit kufitar, të cilat janë të përbashkëta sepse ekziston miqësia, besimi dhe ajo çfarë është më me rëndësi, që qytetarët të mos humbin kohë dhe të mos bëhen nervozë për shkak të pritjes”.
Sipas tij, “kjo është edhe një dëshmi se dora e miqësisë që vërehet në këtë pikë të kalimit kufitar pasqyron raportin ndërmjet dy popujve”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar hapjen e pikës së re kufitare si një ditë të mirë pasi që bjen një mur tjetër mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
“Është një lajm i mirë për të gjithë ata që e përdorin këtë rrugë dhe që nga sot kanë një pikë kalimi dinjitoze dhe një mundësi për të kaluar përmes kësaj pike, duke u ndier qytetarë të denjë të dy vendeve tona”, ka thënë ai.
Megjithatë, sipas tij, “nuk mjafton që të ndërtosh infrastrukturë dinjitoze dhe as të hapësh një pikë të re doganore nëse së bashku ne nuk i heqim të gjitha barrierat dhe nëse së bashku ne nuk e bëjmë kalimin e qytetarëve tanë pa humbur asnjë minutë në pritje të identifikimit të dokumenteve”.
Në ceremoninë e hapjes së pikës së kalimit kufitar Cemi i Triepshit – Grabom kanë marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri i Malit të Zi, dr. Dritan Abazoviq, anëtarë të kabinetit qeveritar të Malit të Zi dhe Shqipërisë, deputetët Genci Nimanbegu e Fatmir Gjeka, kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, përfaqësues të partive politike, ambasadave etj.
Pika e kalimit kufitar Cemi i Triepshit – Grabom është pika e dytë e përbashkët kufitare midis Malit të Zi dhe Shqipërisë, pas asaj Sukubinë – Muriqan.
Pika e kalimit kufitar Cemi i Triepshit – Grabom është ndërtuar në vitin 2017 me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri, me qëllim të lidhjes së Podgoricës dhe Gucisë përmes territorit të Shqipërisë. Nga Qeveria e Malit të Zi kanë bërë të ditur se punimet për ndërtimin e saj kanë kushtuar rreth 720 mijë euro, prej të cilave Bashkimi Evrpian ka ndarë gati një gjysmë milion euro.
Hapja e pikës së re kufitare ishte shtyrë edhe për shkak të vonesës së rikonstruktimit të rrugës Dinoshë – Cem i Triepshit nga pala malazeze. Hapja e saj do të ndikojë në shkurtimin e distancës rrugore dhe kohore midis Gucisë e Plavës dhe Tuzit e Podgoricës, si dhe pritet të lehtësojë qarkullimin në pikën e kalimit kufitar Bozhaj – Hani i Hotit. (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat