Toka në pronësi të shtetit

Ulqin – Këshilli për Privatizim, në krye të të cilit është kryeministri Zdravko Krivokapiq, ka marrë të mërkurën e kaluar njëzëri vendim që toka e Kripores së Ulqinit është pronë e shtetit.
Vendimi është marrë me kërkesë të ndërmarrjes në falimentim “Bajo Sekuliq”, të bërë para dhjetë vitesh, me të cilën kërkohej që e drejta e shfrytëzimit të pronës të shndërrohej në të drejtën e pronësisë.
“Duke vepruar sipas kërkesës së Kripores ‘Bajo Sekuliq’ për dhënien e mendimit që Kriporja në procedurën e privatizimit ka paguar për patundshmërinë çmimin sipas vlerës së tregut, Këshilli ka vërtetuar se nuk janë plotësuar kushtet për dhënien e mendimit për shndërrimin e të drejtës së shfrytëzimit në të drejtën e pronësisë për shkak të moskontestimit të pronësisë shtetërore mbi tokën e ndërmarrjes”, theksohet në vendim.
Në të po ashtu thuhet se prona me sipërfaqe të përgjithshme mbi 14.5 milionë metra katrorë është e regjistruar në pronësi të shtetit të Malit të Zi, kurse të drejtën e shfrytëzimit e ka Kriporja “Bajo Sekuliq”.
Vendimin e Këshillit për Privatizim e ka bërë të ditur në llogarinë e tij në Twitter zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq.
“Vendim historik i Këshillit për Privatizim: Kriporja është prone shtetërore! Falënderoj të gjithë që me vite kanë luftuar për pasuritë tona natyrore”, ka shkruar ai.
Vendimi i Këshillit për Privatizim është përshëndetur nga shumica e aktorëve, si ato politikë, shoqatat për ruajtjen e mjedisit, përfaqësuesit diplomatikë, individët etj., por ajo ka ngjallur edhe reagime.
Forca e Re Demokratike konsideron se Kriporja e Ulqinit nuk duhet të jetë pronë e Qeverisë së Malit të Zi, por pronë e Komunës së Ulqinit, me vendimet e së cilës është marrë nga pronarët dhe e cila së bashku me këtë organizatë shoqërore i ka dëmshpërblyer pronarët.
“Vendimi i Këshillit për Privatizim të Malit të Zi, i datës 21. 07. 2021, që prona e Kripores së Ulqinit të regjistrohet si tokë shtetërore është vetëm gjysma e një lajmi të mirë e të mirëpritur, sepse këtë pronë nuk e ka paguar dhe marrë Qeveria e Malit të Zi, por Komuna e Ulqinit, sipas vendimit nr. 05-1657/2 të datës 9. 05. 1965”, thuhet në deklaratën për shtyp të kësaj partie.
Në reagimin e Forcës së Re Demokratike më tej thuhet se “Qeveria deri më tani ka treguar kapacitetin e plotë vetëm për ta shkatërruar Kriporen dhe pronën e saj dhe tani i takon asaj që t’ia kthejë këtë pronë Komunës së Ulqinit” në bazë të Ligjit për pronën shtetërore.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat