Nevojë për forcimin e marrëdhënieve

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, dr. Dritan Abazoviq, ka zhvilluar të premten një vizitë pune në Tiranë, ku është pritur nga Presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Shqipërisë.
Në takim me kryeministrin Rama, Abazoviq ka theksuar nevojën e forcimit të marrëdhënieve ekonomike, realizimin e projekteve të përbashkëta dhe valorizimit të potencialeve të shumta, gjë që përbën hapësirë të rëndësishme për avancimin e bashkëpunimit të mëtejshëm.
Në anën tjetër, në një njoftim të shkurtër në rrjete sociale, Rama ka thënë se takimi shkoi mirë dhe ata ranë dakord në çdo pikë.
“Kënaqësi e posaçme takimi i parë me zëvendëskryeministrin shqiptar të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, me të cilin kaluam si dy miq të vjetër dhe patëm dakordësi në çdo pikë”, ka shkruar Rama.
Presidenti i Shqipërisë e ka përgëzuar zëvendëskryeministrin Abazoviq për përparimin që ka shënuar Mali i Zi, veçanërisht sa i përket procesit të integrimit evropian, aq jetik për të gjitha vendet e rajonit.
Në njoftimin nga Presidenca thuhet se “Meta shprehu dëshirën që bashkëpunimi i mirë, që ekziston midis dy vendeve tona, të përshpejtohet dhe të thellohet më tej në të gjitha fushat, duke patur si objektiv parësor ndërlidhjen gjithnjë e më të mirë mes qytetarëve në të dy anët e kufirit”.
Meta ka apeluar për një përfaqësim më përfshirës dhe më të drejtë të shqiptarëve në institucionet qendrore dhe lokale të Malit të Zi. Dy bashkëbiseduesit kanë biseduar edhe për disa projekte konkrete në mbështetje të zonave ku banojnë shqiptarët, siç janë: hapja së shpejti e Pikës se Kalimit Kufitar në Grabon, mundësia e bashkëpunimit për hapjen e Pikës së Kalimit Kufitar Skje – Zogaj, rindërtimi i shkollës së djegur në fshatin Dacaj në Rozhajë, ura mbi lumin Buna, që do të lidhte Velipojën me Shtojin, përmirësimi i infrastrukturës rrugore në Plavë dhe Guci, konkretisht rregullimi i rrugës për në fshatin Hot në Plavë, hapja e disa pikave kufitare në këtë zonë si edhe në Ulqin, rregullimi i çështjes së shtetësive të shtetasve shqiptare të martuara në Mal të Zi, si dhe punësimi i shqiptarëve në institucionet qendrore dhe lokale.
Gjatë vizitës në Shqipëri, zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq është takuar edhe me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulëzim Basha, kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka pasur një drekë pune të shtruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Bledi Çuçi, dhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka mbajtur një ligjëratë me temën “Sfidat e Malit të Zi në rrugën e modernizimit” në Universitetin Evropian të Tiranës, si dhe ka takuar përfaqësuesit e Shoqatës “Ulqini” në Durrës.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat