Komisioni Evropian ka paralajmëruar se demarkacioni detar midis Malit të Zi dhe Shqipërisë mbetet akoma temë e hapur.
Ky informacion ceket në raportin e fundit të Komisionit Evropian mbi progresin e Malit të Zi, i cili është një konfirmim tjetër se çështja e kufirit me Kroacinë në Prevllakë nuk është e vetmja që mbetet e hapur dhe që Podgorica zyrtare duhet të zgjidhë.
“Marrëdhëniet me Shqipërinë mbeten të mira me disa përmirësime të mëtejshme në infrastrukturë dhe bashkëpunimin ndërkufitar. Demarkacioni në det midis dy vendeve mbetet i hapur. Takimi i parë i Komisionit Ndërshtetëror të Menaxhimit të Ujërave u mbajt në shtator 2019”, thuhet ndër të tjera në raportin e Komisionit Evropian.
Dokumentet e BE-së lidhur me kushtet për vendet nga Ballkani Perëndimor për t’u bashkuar bllokut, përmbajnë gjithashtu deklarata që të gjithë kandidatët duhet të zgjidhin çështje të hapura, veçanërisht mosmarrëveshjet kufitare, përpara se të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.
Ditë më parë zëvendëskryeministri i Malit të Zi, dr. Dritan Abazoviq, ka zhvilluar një vizitë pune në Tiranë, ku ndër të tjera është theksuar se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të mira ndërshtetëtore.
Ndërkohë, Mali i Zi e ka ratifikuar Marrëveshjen e demarkacionit me Kosovën, por edhe ky proces nuk mund të konsiderohet i përfunduar. Sipas kësaj marrëveshjejeje të nënshkruar në vitin 2015 në Vjenë, pas ratifikimit, të dyja shtetet do ta rishikojnë vijën kufitare dhe do të bëhen korrigjime nëse ka pasur lëshime. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar në Kuvendin e Malit të Zi se do të bëjë të pamundurën të korrigjojë gabimet që janë bërë në të kaluarën në procesin e demarkacionit të vijës kufitare me Malin e Zi.
(Kohapress/Express)
