Kryetari i deritashëm i Lëvizjes Qytetare URA, dr. Dritan Abazoviq, është rizgjedhur kryetar i kësaj partie në konventën e tretë zgjedhore, që u mbajt të dielën në mjediset e Hotelit “Otrant” në Ulqin.
Pas rizgjedhjes në krye të LQ URA, ai ka thënë se kjo forcë politike është themeluar që të sjellë ndryshime paqësore dhe demokratike në Malin e Zi.
“Kemi ëndërruar që Mali i Zi mund të pajtohet dhe të ndryshohet. Pas këtyre njerëzve nuk qëndron as kurrupsioni, as krimi, as nacionalizmi”, ka thënë Abazoviq.
Sipas tij, fitorja më e madhe është kthimi i sovranitetit qytetarit të Malit të Zi.
Abazoviq ka theksuar se URA është parti e idealistëve dhe se “ai që ka hyrë për të përfituar para përmes partisë, është i lirë të largohet prej saj”.
Delegatët e Kongresit kanë zgjedhur edhe katër nënkryetarët e LQ URA: Millosh Konatar, Filip Axhiq, Jovana Maroviq dhe Goran Gjuroviq.
Në pjesën solemne të Kongresit kanë marrë pjesë ndër të tjerë edhe kryministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, mr. Aleksa Beçiq, ministrat Sergej Sekulloviq, Gjorgje Radulloviq dhe Tamara Srzentiq, si dhe përfaqësues të partive, korit diplomatik, komuniteteve fetare dhe organizatave joqeveritare.
Në fjalën përshëndetëse, kryeministri Zdravko Krivokapiq ka thënë se këto ditë po ndodh zgjedhja – nëse Mali i Zi do të ecë drejt Evropës, apo do të kthehet në vitet e nëntëdhjeta.
Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, mr. Aleksa Beçiq, ka thënë se Demokratët dhe URA kanë shkelur pothuajse në të njëjtën kohë në skenën politike komplekse të Malit të Zi, para pak më shumë se gjashtë vitesh, dhe që nga dita e parë janë, siç ka thënë, miq dhe partnerë të sinqertë.
Nga LQ URA më herët është bërë e ditur se zgjedhja e funksionarëve të tjerë partiakë do të bëhet në bazë të statutit në mbledhjet e ardhshme të Këshillit Drejtues.
Dritan Abazoviq është zgjedhur kryetar i LQ URA në kongresin e mbajtur më 9 prill 2017, duke qenë kryetari i parë shqiptar i një partie me profil qytetar në Mal të Zi. Ai është njëri ndër themeluesit e Malit të Zi Pozitiv dhe deputet i kësaj force politike, por pas përçarjes do të largohet nga ky subjekt politik duke formuar më pas me bashkëmendimtarët e tij LQ URA. Në zgjedhjet e fundit parlamentare LQ URA nën drejtimin e tij fitoi katër deputetë dhe u bë pjesë e koalicionit qeverësës së bashku me Frontin Demokratit dhe Demokratët. Aktualisht është zëvendëskryeministër i Qeverisë së Malit të Zi.
(Kohapress)
