Plavë – Në seancën e dytë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Plavës, të mbajtur të hënën 28 qershor 2021, në sallën e vogël të Qendrës për kulturë “Husein Bashiq”, janë shqyrtuar dhe miratuar një sërë propozim vendimesh dhe informatash të organeve të qeverisjes lokale, të shoqatave dhe institucioneve publike, që punojnë dhe veprojnë në kuadër të Komunës së Plavës.
Në fillim të seancës, të cilën e hapi kryetarja e Kuvendit, znj. Jasmina Cikotiq, pas ca vërejtjesh të këshilltarëve në përmbajtje, u miratua proces verbali nga seanca e parë e rregullt e mbajtur më 29 mars 2021, dhe rendi i plotësuar i ditës me dy pika të reja të propozuara nga kryetari i Komunës, Nihad Canoviq – dy vendime mbi vërtetimin e vendimit të kryetarit të Komunës së Plavës mbi ndryshimet dhe plotësimet e vendimit mbi fuqizimin e interesit publik për shpronësimin e patundshmërisë për rikonstruksionin e rrugës “Ribarska” në Plavë.
Seanca filloi punën me shqyrtimin e propozimit të vendimit mbi llogarinë përfundimtare të Buxhetit të Komunës së Plavës për vitin 2020 me raportin e revizorit të pavarur, që ishte njëri ndër nëntë propozim vendimet e rendit të ditës, e njëherë edhe temë qendrore e trajtimit të saj të cilin e parashtroi dhe argumentoi në mënyrë analitike kryetari i Komunës, Nihad Canoviq.
Ai konfirmoi se Buxheti i Komunës së Plavës për vitin 2020 ishte planifikuar në shumën 4.550.000 euro dhe është realizuar 96,71%. Të hyrat janë realizuar në shumën 4.400.304,14 euro, shpenzimet në shumën 4.050.489,31 euro, kurse gjendja e depozitit më 31 dhjetor 2020 ka qenë 349.814,83 euro, i cili transferohet në Buxhetin e Komunës për vitin 2021. Paralelisht me bilancin përfundimtar të Buxhetit është shqyrtuar edhe raporti i revizorit të pavarur mbi Buxhetin nga Podgorica.
Pas trajtimit dhe shqyrtimit konciz e analitik, në të cilin me diskutimet e veta kanë marrë pjesë disa këshilltarë të pozitës dhe opozitës, me ç’rast kanë dhënë vërejtje dhe sugjerime, llogaria përfundimtare e Buxhetit për vitin 2020 me raportin e revizorit të pavarur, këshilltarët e kanë miratuar me 21 vota “Për” dhe 1 “Kundër”.
Me shumicë votash “Për” apo “Njëzëri”, këshilltarët në punën e mëtejme të Kuvendit kanë shqyrtuar dhe miratuar edhe propozim vendimet tjera.
Zgjidhja ideore e flamurit të Komunës së Plavës, e ofruar nga komisioni gjegjës për shqyrtim dhe miratim, ndër këshilltarët e pranishëm ka zgjuar interesim të madh, të cilët në diskutimet e veta vlerësuan se zgjidhja e ofruar e pamjes së flamurit nuk është e pranueshme, andaj ata e tërhoqën nga rendi i ditës që për seancën e radhës nga ekspertët tjerë të përgatitet më mirë.
Këshilltarët me pjesëmarrje në punën e mëtejme të seancës, shqyrtuan dhe propozuan propozim vendimin mbi miratimin e planit lokal aksional për të rinjtë e Komunës së Plavës për vitin 2021, atë mbi ndryshimet dhe plotësimet e rregullores mbi punën e Kuvendit të Komunës së Plavës.
Propozim vendimi mbi dhënien e pëlqimit në planin e marrëveshjes mbi besimin e kryerjes së veprimtarive komunale dhe shfrytëzimin e infrastrukturës së saj dhe mjeteve të tjera të pronës së Komunës së Plavës, zgjoi polemikë të ndërsjellë në mes të përfaqësuesve relevant të Komunës, këshilltarëve dhe drejtorit të SHPK “Veprimtaritë Komunale” përkitazi me përgjegjësitë dhe kompetencat përkatëse.
Në propozim të kryetares së Kuvendit, Jasmina Cikotiq, këshilltarët shqyrtuan dhe miratuan në pako edhe katër propozim vendime: mbi shfuqizimin e vendimit mbi kompensimin për hapësirat e devastuara, mbi shfuqizimin e vendimit mbi kanalizim dhe pastrim të ujërave të zeza në trevën e Komunës së Plavës, mbi shfuqizimin e vendimit mbi vendosjen, gjegjësisht ndërtimin dhe zhvendosjen e objekteve për hyrje dhe lëvizje të personave me lëvizshmëri të zvogëluar dhe të personave me invaliditet dhe propozim vendimin mbi shfuqizimin e vendimit mbi furnizimin e vendbanimeve me ujë të pijshëm dhe nevoja sanitare në trevën e Komunës së Plavës.
Në seancë këshilltarët në mënyrë analitike dhe koncize janë njoftuar edhe me informatën mbi punën e Qendrës për punë sociale për Komunën e Plavës dhe të Gucisë për vitin 2020 dhe me informatën mbi gjendjen e Shoqatës së “Dru përpunuesit” në Plavë, për të cilin për shkak të gjendjes alarmante të saj në seancë u debatua rreth një ore nga ana e përfaqësuesit të saj, Esad Bajraktareviq, kryetarit të Komunës, Nihad Canoviq, dhe këshilltarëve të pranishëm të pozitës dhe opozitës.
Sh. Hasangjekaj
