Në platoun e oborrit të Shkollës fillore “Hajro Shahmanoviq” në Plavë, të enjten, më 10 qershor 2021, në ceremonialin solemn ishin tubuar gjysmëmaturantët me sukses të shkëlqyer, prindërit e tyre, mësimdhënësit dhe kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, për të marrë pjesë në ndarjen e diplomës “Lluça” (Pishtari), për sukseset madhore që ata kanë arritur gjatë nëntë viteve shkollore në këtë shkollë.
Nga 84 gjysmëmaturantët e katër paraleleve mësimore të klasës së nëntë, një prej të cilave me pesë sish me mësim në gjuhën shqipe, 15 gjysmëmaturantë gjatë shkollimit nëntëvjeçar fillor, kanë treguar sukses të shkëlqyer dhe sjellje shembullore, u është ndarë diploma “Lluça” (Pishtari). Për suksesin e arritur mësimor, me vendimin e kolektivit të mësimdhënësve të shkollës, të gjithë gjysmëmaturantët janë shpërblyer me nga një libër.
Hapjen solemne të ndarjes së diplomës “Lluça”, e bëri nxënësja moderatore e programit, e cila është edhe laureate e diplomës në fjalë, e cila i përshëndeti të pranishmit, e gjysmëmaturantëve ua uroi shpërblimet për suksesin e arritur, e pastaj ushtruesi i posa emëruar i detyrës së drejtorit të shkollës, Hamdija Llalliq, i cili bashkë me kryetarin e komunës, Nihad Canoviq, gjysmëmaturantëve ua kanë dorëzuar diplomat.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit, Hamdija Llalliq, në fjalën e rastit, ka përshëndetur të gjithë të pranishmit, e në veçanti laureatët e diplomës “Lluça” (Pishtari), me theks të veçantë në shkollimin e tyre të mëtejmë dhe në avancimin e diturive të fituara, duke dëshiruar që të vazhdojnë shkollimin e mëtejmë dhe të jenë të suksesshëm si deri më tani.
Kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, në fjalën e vet përshëndetëse, gjysmëmaturantëve të suksesshëm, laureatëve të diplomës “Lluça”, u ka dëshiruar fat, shëndet dhe sukses në vazhdimin e shkollimit të tyre të mesëm dhe në vazhdim ka konfirmuar: “Me diplomën ‘Lluça’ (Pishtari), keni dëshmuar se dispononi me kapacitete të konsiderueshme intelektuale, por ajo që është edhe më e rëndësishme, gjatë shkollimit fillor keni treguar se jeni punëtorë, të përgjegjshëm dhe të disiplinuar në realizimin dhe plotësimin e detyrimeve tuaja dhe në arritjen e qëllimeve të caktuara”.
Në emër të nxënësve laureatë të diplomës “Lluça”, të pranishmëve u është drejtuar moderatorja e programit dhe njëherazi fituesja e diplomës në fjalë, e cila me fjalë prekëse dhe mallëngjyese, shokëve dhe shoqeve të veta u ka dëshiruar që së bashku si deri më tani të jenë të suksesshëm në përfitimin e njohurive dhe përvojave të reja, të cilat do t’u vlejnë shumë në jetë.
Laureatë të diplomës “Lluça” (Pishtari) janë gjysmëmaturantët: Jelena Bojoviq, Xheneta Canoviq, Aldin Feratoviq, Najlla Huseinoviq, Faris Markishiq, Samra Srdanoviq, Danis Suroviq, Llejlla Llalliq, Sumeja Canoviq, Nejlla Reçkoviq, Minell Toshiq, Isaid Rexhepagiq, Millan Bojoviq, Izabella Kandiq dhe Jovanka Simonoviq.
Në paralelen me mësim në gjuhën shqipe, këtë vit shkollor, asnjë nxënës nuk ishte fitues i diplomës “Lluça”.
Të gjithë gjysmëmaturantët, laureatë të diplomës në fjalë, të kësaj shkolle, u deklaruan se do t’i vazhdojnë mësimet kryesisht në Shkollën e mesme të përzier “Beqo Bashiq” në Plavë.
Sh. Hasangjekaj
