Nga sot hiqet sigurimi kufitar

Mali i Zi dhe Kosova kanë nënshkruar të premten në Podgoricë marrëveshjen për heqjen e sigurimit.
Drejtori i Zyrës Nacionale të Siguruesve të Malit të Zi, Boris Shaban, dhe drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku, kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit për njohjen reciproke të certifikatave të sigurimit për mbulimin e përgjegjësive në shkaktimin e dëmeve ndaj palëve të treta në territoret e ndërsjella.
Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, shtetasit e Malit të Zi dhe të Kosovës nuk do të paguajnë sigurimin në vlerë 15 euro kur hyjnë në Kosovë, gjegjësisht Mal të Zi.
Sipas Memorandumit të Mirëkuptimit, drejtuesit e mjeteve motorike me targë të regjistrimit të Malit të Zi gjatë hyrjes në Kosovë do të prezantojnë Kartonin e Gjelbër valid, ndërsa në anën tjetër drejtuesit e mjeteve motorike me targë të regjistrimit të Kosovës gjatë hyrjes në Malin e Zi do të prezantojnë certifikatën e sigurimit TPL + valide, e cila aplikohet edhe në MoU-të me Maqedoninë dhe Serbinë.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri i Malit të Zi, dr. Dritan Abazoviq, dhe ajo e Kosovës, Emilja Rexhepi.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat