Takime të rëndësishme me përfaqësues të shtetit amerikan dhe diasporës shqiptare

Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, ka zhvilluar një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë së cilës ka pasur një sërë takimesh të rëndësishme me përfaqësues të shtetit amerikan dhe të diasporës shqiptare në këtë vend.
Ai është takuar ndër të tjera me kongresmenin Ritchie John Tores, i cili është njëherësh edhe anëtar i Këshillit për Financa dhe nënkryetar i Këshillit për Siguri Kombëtare në Kongresin Amerikan.
Gjeloshaj është takuar edhe me guvernatorin e shtetit Nju Xhersi, Philip Murphy, ish-ambasador i SHBA-së në Gjermani gjatë administratës së Presidentit Barack Obama, i cili konsiderohet ndër politikanët më me ndikim në SHBA dhe në Partinë Demokratike.
Ai është pritur po ashtu nga drejtoresha e Zyrës për Malin e Zi në Departantin Amerikan të Shtetit, Florence Akinyemi,
Sipas Gjeloshajt, në fokus të këtyre takimeve ka qenë situata aktuale e shqiptarëve në Mal të Zi, largimi i Malit te Zi nga rruga e sigurt e shtetit qytetar dhe kthimi në atë klerik, me fokus të veçantë pastrimin etnik të institucioneve shtetërore.
Ai ka thënë se përfaqësuesit e shtetit amerikan i ka njoftuar me diskriminimin që Qeveria dhe kryeministri aktual i Malit të Zi, po iu bën komunave shqiptare, në veçanti Komunës së Tuzit.
Gjeloshaj ka zhvilluar takime të veçanta edhe me kryetarin e Komunës së Garfield-New Jersey, Richard Rigoglioso, me kryetarin e Komunës së Cliffside Park, Thomas Calabrese dhe anëtaren e Këshillit Bashkiak, Selvie Nikaj, kryetarin e Qytetit Fairview (Bergen County – New Jersey), Vincent Bellucci, me të cilët ka diskutuar për mundësinë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.
Gjatë vizitës së tij në SHBA, kryetari i Komunës së Tuzit është takuar edhe me mërgimtarët nga Malësia të tubuar rreth shoqatave të ndryshme, si “Malësia e Madhe” – Nju Jork, Fondi Humanitar “Trieshi” etj.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat