Ta pastrojmë veten për ta pastruar Malësinë

Vazhdojmë me “ kulturën” tonë të hershme, të hedhim lloj-lloj mbeturinash kudo në hapësira publike, pa menduar fare se ato dëmtojnë shëndetin tonë, të familjarëve tanë dhe të gjithë qytetarëve e mysafirëve që e frekuentojnë këtë trevë. Ne duhet të jemi ata që të ndryshojmë vetëdijen tonë individuale, e pastaj edhe atë kolektive

Gjekë Gjonaj

Mbrojtja e mjedisit nuk duhet të jetë përgjegjësi e vetëm një institucioni, por e të gjithëve dhe për këtë do të duhet të punohet çdo ditë. Do të ishte mirë që të kuptojmë se në fakt rruga, ura, lumi, fusha, parku e gjithçka tjetër nuk janë vetëm e institucionit përgjegjës. Aq më tepër sot, kur Mali i Zi si shtet ekologjik dhe gjithë bota po përballet me virusin Covid-19, i cili na ka ndërgjegjësuar se në parandalimin e tij, gjëja kryesore është të mbajmë pastërtinë.

Nuk mund ta pastrojmë Malësinë, pa e pastruar veten. Vetëm kështu ne mund të fillojmë të ndryshojmë imazhin e Malësisë dhe ta bëjmë atë ( vendlindjen tonë) më të pastër. Prandaj, mos të hezitojmë. Që nga sot mund ta fillojmë një ndryshim të ri, sepse mjedisi është garantues i shëndetit. Është në dinjitetin e Komunës së Tuzit që ajo të jetë e pastër dhe një komunë model për komunat e tjera

Komuna e Tuzit ka akoma nevojë për punë, ka akoma nevojë për angazhim dhe ka nevojë të madhe që të gjithë qytetarët e saj të sensibilizohen dhe të ndërgjegjësohen për të mos ndotur mjedisin. Cilido nga qytetarët e Malësisë aty ku punon dhe jeton, duhet të japë kontributin e vet për të pastruar sadopak. Peisazhi i Malësisë është prekur në një mënyrë të pakëndshme dhe mbeturinat janë të gjithëpranishme në zonat urbane dhe rurale. Imazhi që përcillet lë shumë për të dëshiruar. Është në dinjitetin e Komunës që ajo të jetë e pastër. Për ndotjen e ambientit në këtë trevë nuk duhet fajësuar dikë tjetër. Nuk mund të themi na e ka fajin armiku, jo! Për ndotjen e kemi vet fajin, dhe kur ta pranojmë fajin, mund t’i dalim zot. Po gjetëm arsyetim, siç gjejmë në mënyrë tipike ne ballkanasit, se për gjendjen tonë fajin na e ka armiku imagjinar, atëherë nuk kemi gjë për fill.
Duhet ta kuptojmë se ne jemi pjesë e natyrës dhe se nuk mund të ndahemi nga ajo. Sado që ne të paraqitemi se jemi më të fortë se natyra, ajo gjithmonë na e kthen në një mënyrë. E jona është që t’i ndryshojmë këto shprehi. Çdoherë duhet të nisemi nga vetvetja dhe të jemi shembull për të tjerët. Kryesorja është që ne së pari të pastrojmë mbeturinat që ndodhen në ne, të cilat i kemi fituar nga jashtë. Në atë masë do të pastrojmë shtëpinë tonë, oborrin tonë dhe mjedisin ku jetojmë. Nga sjellja jonë do të edukohen edhe fëmijët tanë. Për fat të keq në shoqërinë e sotme është turp të jesh i kulturuar. Ndërkaq mburremi kur shkojmë në vende të tjera evropiane e botërore me kulturë më të lartë dhe shohim trotuare të pastra , kopshte e parqe të gjelbëruara. E kur kthehemi në vendin tonë sillemi ndryshe nga atje. Vazhdojmë me “ kulturën” tonë të hershme, të hedhim lloj-lloj mbeturinash kudo në hapësira publike, pa menduar fare se ato dëmtojnë shëndetin tonë, të familjarëve tanë dhe të gjithë qytetarëve e mysafirëve që e frekuentojnë këtë trevë. Ne duhet të jemi ata që të ndryshojmë vetëdijen tonë individuale, e pastaj edhe atë kolektive. Beteja që duhet fituar është ajo e mentalitetit. Nuk mund ta pastrojmë Malësinë, pa e pastruar veten. Vetëm kështu ne mund të fillojmë të ndryshojmë imazhin e Malësisë dhe ta bëjmë atë ( vendlindjen tonë) më të pastër. Prandaj, mos të hezitojmë. Që nga sot mund ta fillojmë një ndryshim të ri, sepse mjedisi është garantues i shëndetit. Është në dinjitetin e Komunës së Tuzit që ajo të jetë e pastër dhe një komunë model për komunat e tjera.

Të fundit

më të lexuarat