Projekte të përbashkëta për zhvillimin e zonës

Guci – Sekretari i parë i Ambasadës së Mbretërisë së Norvegjisë në Mal të Zi, Stefan Sandstad Almehagen, me bashkëpunëtorë, para pak ditësh ka vizituar Komunën e Gucisë, me ç’rast është njoftuar me projektet të cilat kanë për qëllim avancimin zhvillimor në trevën e Komunës së Gucisë, përmes projektit “Norvegjia për ju – Mali i Zi”, thuhet në njoftimin për media të Komunës së Gucisë.
Në takim me mysafirin e lartë norvegjez kanë qenë të pranishëm kryetarja e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq, nënkryetari i Komunës dhe menaxheri i projektit në fjalë, mr. Huso Brdakiq, dhe shefi i Policisë Komunale dhe anëtari i ekipit të projektit, Semih Rexhepagiq.
Përmes projektit “Norvegjia për ju – Mali i Zi”, banorët e lagjes Beglluci në Guci, tani kanë ndriçimin e ri rrugor LED, i cili siguron kursim të energjisë elektrike edhe deri në 70 për qind. Pos kësaj, Komuna e Gucisë ka zbatuar aktivitetet bashkë me Agjencinë Zhvillimore Rajonale “Bjellasicë, Komet dhe Bjeshkët e Nëmuna” për avancimin e përpunimit të qumështit, pemëve dhe perimeve, kurse bujqit nga Gucia, Plava, Andrijevica dhe Berani kanë fituar pajisjet e domosdoshme për prodhim. Norvegjia i ka financuar këto projekte në Guci me rreth 110 mijë euro.
“Përkrahja e Mbretërisë së Norvegjisë është jashtëzakonisht e rëndësishme për komunat më pak të zhvilluara në Mal të Zi, siç është Komuna e Gucisë, ngase financimi i projekteve për zhvillim të infrastrukturës dhe përkrahje të bujqve, është me rëndësi të madhe për zhvillim”, ka thënë kryetarja e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq.
Projekti “Norvegjia për ju – Mali i Zi” gjatë dy viteve e gjysmë të fundit është i fokusuar në rritjen e mundësisë për punësim, përkrahjen e kohezionit social edhe avancimin e infrastrukturës lokale në komunat më pak të zhvilluara të Malit të Zi.
“Jashtëzakonisht jam i lumtur që kam rastin të shoh rezultatet e përpjekjeve të përbashkëta në avancimin e kushteve të jetës për qytetarët e komunave më pak të zhvilluara në Mal të Zi. Jam i kënaqur që projekti ‘Norvegjia për ju – Mali i Zi’ i ka kontribuar zhvillimit socio-ekonomik të komunave në veri të Malit të Zi”, ka deklaruar sekretari i parë i Ambasadës së Mbretërisë së Norvegjisë në Mal të Zi, Stefan Sandstad Almehagen, thuhet në faqen e internetit të Komunës së Gucisë.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat