Fuqizimi i kapaciteteve njerëzore në raste fatkeqësish

Guci – Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim ndërkombëtar (TIKA), në bashkëpunim me Shërbimin e Zjarrfikësve të Komunës Konya, ka realizuar projektin “Kursi themelor për zjarrfikës” për 20 nëpunës të shërbimeve të mbrojtjes dhe shpëtimit në komunat e Gucisë, Plavës, Beranës dhe Zhablakut.
Gjatë programit gjashtë ditësh, pjesëmarrësit kanë pasur rast që përmes pjesës teorike dhe praktike të kursit t’i avancojnë dituritë e veta në lëmitë, siç janë intervenimet në rastin e shpërthimit të zjarrit, intervenimet e shpëtimit, aksidentet e komunikacionit, ndihma e parë, mbrojtja në punë etj., ashtu që dituritë e fituara t’i demonstrojnë në stërvitjen përfundimtare, e cila është mbajtur ditën e fundit të kursit.
Nëpunësve të Malit të Zi, të cilët me sukses e kanë përfunduar programin, u janë ndarë certifikatat përkatëse, me ç’rast është organizuar ceremonia e dorëzimit në ndërtesën e Komunës së Gucisë.
Në programin në fjalë, të pranishmëve u është drejtuar kryetarja e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq, e cila ka theksuar se projekti i përfunduar është zbatuar në bashkëpunim me TIKA-n, agjenci që në të kaluarën e afërt ka realizuar projektin e blerjes së pajisjeve dhe rrobave për Shërbimin e Mbrojtjes dhe Shpëtimit të Gucisë, si dhe projekte të tjera në lëmi të ndryshme.
Ajo ka falënderuar instruktorët nga Republika e Turqisë dhe ka shprehur dëshirën për vazhdim të bashkëpunimit të mëtejmë me Agjencionin TIKA.
Drejtori i Drejtorisë së Shërbimit të Zjarrfikësve nga Komuna Konya, Latif Erdogan, në fjalën e rastit, pjesëmarrësit e edukimit i ka uruar në punën e zellshme dhe edukimin e suksesshëm gjatë gjashtë ditëve, dhe ka falënderuar Agjencionin në fjalë për organizimin e këtij projekti.
Në emër të vijuesve të kursit, të pranishmëve u është drejtuar edhe nëpunësi i Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit të Komunës së Beranës,Millosav Koraq, i cili para së gjithash ka falënderuar Agjencionin TIKA dhe kolegët nga Komuna Konya për transmetimin e dijeve dhe përvojës, duke theksuar se edukimi i përmendur do të ketë efekt të madh në vazhdimin e kryerjes së kësaj pune mjaft të rëndësishme për bashkësinë, me shpresë se projektet e këtilla dhe të ngjashme do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Në ceremoninë e ndarjes së certifikatave, të pranishmëve u është drejtuar edhe koordinatori i Zyrës së TIKA-s për Malin e Zi, Abdurahman Toprak, i cili ka theksuar se TIKA që nga hapja e Zyrës në Mal të Zi, prej vitit 2007 e deri më tani, ka realizuar më se 400 projekte dhe ka theksuar rëndësinë e zbatimit të projekteve edukative, të cilat kanë për qëllim fuqizimin e kapaciteteve të resurseve njerëzore në institucionet shtetërore. Në këtë kontekst është zbatuar edhe programi në bashkëpunim me Shërbimin e Zjarrfikësve të Komunës Konya, stërvitja për nëpunësit e shërbimeve të mbrojtjes dhe shpëtimit të katër komunave të Malit të Zi, dhe ka bërë me dije që edukime të ngjashme do të ketë edhe në periudhën e ardhshme.
Projekti në fjalë është zbatuar në kuadër të programit të TIKA-s për intervenime në raste urgjente dhe katastrofa natyrore (ADAMEP), qëllimi i të cilit është fuqizimi i kapaciteteve njerëzore të shtetit, partner në raste të jashtëzakonshme.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat