Xhemal Peroviq dhe Linda Camaj, ambasadorë të rinj në Shqipëri dhe Kosovë?!

Podgoricë – Aktivisti i shoqërisë civile dhe ish-politikani Xhemal Peroviq do të jetë ambasador i ardhshëm i Malit të Zi në Shqipëri, ndërsa Linda Camaj në Republikën e Kosovës, kanë bërë të ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi.
Ata pritet të zëvendësojnë në këto poste Dushan Mrdoviqin dhe Ferhat Dinoshën, të cilëve u ka përfunduar mandati i dytë si ambasadorë të Malit të Zi në Tiranë, gjegjësisht Prishtinë.
Megjithatë, para fitimit të agremanit nga vendi pritës dhe marrjes së detyrës në shtator, ata duhet të marrin pëlqimin e Presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
Nga Presidenca e Malit të Zi kanë bërë të ditur se nga 18 kandidatë për ambasadorë të rinj, vetëm për shtatë prej tyre Presidenti Millo Gjukanoviq ka dhënë pëlqimin, ndërsa prej 11 të tjerëve disa kanë fituar mendim negativ, kurse për pjesën tjetër janë pajtuar që të zhvillohen konsultime shtesë.
Këshilltarja për politikë të jashtme e Presidentit të Malit të Zi, Tamara Brajoviq, ka sqaruar se nëse Qeveria e Malit të Zi do të përcaktohet të kërkojë agreman nga vendi pritës për kandidatët për të cilët nuk është arritur pajtueshmëri me Presidentin në procesin këshillues, është e qartë se kjo përbën lojë me imazhin e Malit të Zi dhe besimin në marrëdhëniet me vendet dhe organizatat pritëse potenciale.
“Presidenti konfirmon se është i hapur për bashkëpunim që nëpërmjet konsultimeve të mëtutjeshme të arrihet konsensusi, gjë që është në interesin më të mirë të shtetit tonë”, ka deklaruar ajo.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat