
Shumë sëmundje shfaqen, ose shpejtohen me përdorimin e duhanit si p.sh.:
- Sëmundjet kardio-vaskulare;
- Karcinomi i mushkërive;
- Sëmundjet kronike obstruktive të mushkërive;
- Sëmundjet me dobësimin e lëvizjes së gjakut në periferinë e ekstremiteteve të poshtme (këmbët) – M. Burger
- Astma bronkiale si edhe sëmundjet respiratore (të frymëmarrjes) te fëmijët të sapolindur ose te ata në vitin e parë, prej atyre nënave të cilat janë duhanpirëse.
Prej këtyre sëmundjeve të lartpërmendura, sipas të dhënave statistikore nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ( OBSH) në botë në vitin 1985 kanë vdekur 1.700.000 njerëz, kurse në vitin 1995 ky numër u rrit në 2.100.000.
Karakteristikat e tymit të duhanit
Tymi i duhanit përmban më tepër se 4.000 kimikate. Prej atyre janë të vërtetuara 40 kancerogjene (ato që mundësojnë karcinomin bronkial të mushkërive). Në to zënë vend edhe shumë materie aromatike si: hidrokarbonatët, aminët etj. si dhe materiet organike: benzenët, akrilinitritët. Gjithashtu tymi i duhanit përmban edhe materie joorganike: arseni, acetilaldehidi etj. Më i njohuri prej tyre është Polonium 210.
Përbërja e tymit të duhanit varet edhe nga disa faktorë të tjerë si:
- a përdoret duhani në hapësira ose vende të mbyllura (dhoma, zyre, vende pune etj.);
- mënyra e fermentimit të duhanit;
- prej aditivave (materialet plotësuese);
- si dhe prej letrës me të cilën është i mbështjellur duhani.
Shumë prej kimikateve të lartpërmendura formohen edhe gjenden mbas thithjes së cigares (duhanit) në momente kur zhvillohen temperatura shumë të larta, si dhe kur pirja e duhanit është në vende të mbyllura dhe të paajrosura.
Pirja “pasive” e duhanit
Edhe personat që nuk e përdorin duhanin kur qëndrojnë në ambientin e brendshëm e në afërsinë e duhanpirësve janë të rrezikuar për arsye se tymi i cili nxirret prej organeve të frymëmarrjes të atyre që e përdorin duhanin ende ka 80% të materieve të cilat kanë mbërritur në mushkëritë e duhanpirësve, si dhe materiet tjera (20%) toksikogjene të cilat prodhohen edhe gjinden tek personat që e përdorin duhanin.
Kështu në mënyrë “pasive” personat që nuk e përdorin duhanin mund të fitojnë efekte shumë negative kur qëndrojnë në afërsi të duhanpirësit, normalisht më tepër në ambientin e brendshëm.
Po e theksojmë edhe një herë është vërtetuar shfaqja me e shpeshtë e astmës si edhe e sëmundjeve tjera respiratore tek fëmijët e posalindur, si dhe te ata në vitin e parë të jetës nga nënat të cilat e përdorin duhanin.
Për shkak të këtij problemi Bashkimi Internacional për duhanpirje dhe shëndet, në vitin 1995 i aprovoi rekomandimet për rolin e mjekut në luftën kundër pirjes së duhanit. Ky asociacion ndërkombëtar përbëhet prej këtyre shoqatave:
- Shoqata Amerikane e mjekëve
- Shoqata Amerikane torakale (sëmundjet e krahrorit)
- Shoqata Respiratore Evropiane
- Shoqata Torakale e Kanadasë
- Unioni Internacional për luftën kundër tuberkulozit dhe sëmundjeve të mushkërive.
Roli i mjekut në luftën kundër pirjes së duhanit
Detyra e çdo mjeku është pyetja për të sëmurin se a e konsumon duhanin. Mandej vazhdojnë aktivitetet tjera.
Me rëndësi ka edhe mënyra preventive e cila nënkupton se mjeku të jetë shembull pozitiv. Fatkeqësisht në praksën e përditshme kemi situata ku mjeku e përdorë duhanin në prani të të sëmurit. Nga literatura vërtetohet se mjekët e konsumojnë duhanin me këto përqindje: 61% meshkuj dhe 16% femra.
Propozohet si mënyrë preventive:
- ndalimi i pirjes së duhanit në spitale, shtëpitë e shëndetit,
- ndalimi i pirjes së duhanit në shkolla dhe objekte tjera arsimore,
- ndalimi në mënyrë ligjore i reklamimit të duhanit.
Aktivitetet e mjekut në luftën kundër duhanit mund të sistematizohen në katër pyetje për pacientin:
- A e pin duhanin, dhe numri i cigareve të pira në ditë?
- Propozimi i mjekut si dhe theksimi për efektet negative për shëndetin në përgjithësi,
- Vlerësimi për interesimin e duhanpirësit për zhdukjen e kësaj varësie të duhanit,
- Ndihma e mjekut për ndalimin e përdorimit të duhanit si edhe zhdukjen e varësisë.
Përcaktimi i vullnetit të sëmurit (duhanpirësit për ndalimin e pirjes së duhanit (Procaska dhe Di Ciemente metodi)
- Shkalla e parë – para mendimit: ku të sëmurit theksojnë se nuk kanë probleme për arsye të duhanit;
- Shkalla e dytë: i sëmuri fillon të mendojë “mundësisht se unë kam probleme, por…”;
- Shkalla e tretë: të sëmurit e kanë vendosë dhe mendojnë “se duhani është i dëmshëm për shëndet” dhe i lajmërohen për ndihmë mjekut. Ata ndahen në dy grupe:
a. Ata të cilët me sukses e ndalin pirjen e duhanit;
b. Ata të cilët mbas ndalimit prap rifillojnë konzumimin e duhanit.
Te kategoria e fundit, mjeku ka rolin e posaçëm që këta ti bind të mendojnë dhe të vendosin sikurse ata nga kategoria e parë.
Nikotina
Nikotina shkakton varësinë tek duhanpirësit për arsye se në mënyrë direkte ndikon në rritjen e koncentrimit të Norepinefrin-it dhe Dopamin-it në qelizat e trurit, dhe në këtë mënyrë ka efekte stimulative. Mbas thithjes së tymit të duhanit nga mushkëritë, nikotina depërton nëpër membranën e kapilarëve të mushkërive dhe për disa minuta gjendet në koncentrim të madh në qarkullim të trurit. Duhanpirësit në mënyrë të shpejtë zhvillojnë tolerancën ndaj nikotinës dhe kështu rritet varësia ndaj duhanit dhe numri i pirjes së cigareve rritet për çdo vit.
Testi i varësisë ndaj nikotinës – Fagerstrom
Pyetjet Përgjigjet Poenat
Kur e ndizni cigaren pasi të zgjoheni?
Pas 5 min. 3
Pas 5-30 min. 2
A e keni të vështirë të duroheni nga pirja e duhanit në vende të ndaluara?
Po 1
Jo 0
Cilën cigare e keni më vështirë të mos e pini?
Të parën në mëngjes 1 Çdo tjetër 0
Sa cigare pini në ditë?
10 e më pak 0
11-20 1
21-30 2
31 e më shumë 3
A e pini duhanin më tepër në orët e para pas zgjimit, apo gjatë ditës? Po 1
Jo 0
A e pini duhanin kur jeni të sëmurë, si dhe kur jeni të shtrirë në shtrat?
Po 1
Jo 0
0-2 p varësi e nivelit më të ulët
3-4 p varësi e ulët
5 p shkallë e mesme e varësisë
6-7 p varësi e lartë
8-10 p varësi më e lartë
Në luftën kundër varësisë së duhanit përdorohen:
- mjetet farmakologjike të nikotinës siç janë: flasterët – ngjitësi transdermal (sipër lëkure), inhalimi me aerosol nëpër hundë, sakëzë (goma përtypëse) etj.
Vitet e fundit bëhen hulumtime për zbulimin e barnave të cilët kanë përmbajtjen jonikotine me efekte për zhdukjen e varësisë etj.
Medikamenti më interesant quhet Bupropion. Terapia me këtë medikament fillon një javë para ndalimit të pirjes së duhanit.
Në fund
Tymi i duhanit ndikon dëmshëm në shëndetin e krejt popullsisë së botës.
Preferimet e organizatave ndërkombëtare për pirjen e duhanit dhe shëndetin cekin rolin kryesor të mjekut në luftën kundër përdorimit të duhanit. Këtu nënkuptohen masat preventive dhe aksionet për zhdukjen e shprehisë së pirjes së duhanit.
Po e përsërisim edhe edukimin familjar, shkollor dhe medicinal, si dhe ndalimin e reklameve në lidhje me prodhimin e duhanit.
