Ulqin – Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi organizoi gjatë fundjavës në Hotelin “Otrant” në Ulqin trajnimin për të rinj, me temë “Rëndësia e pjesëmarrjes së të rinjve shqiptarë në Mal të Zi në jetën publike e politike”.
Trajnimi dyditor bashkoi rreth 25 të rinj shqiptarë nga Mali i Zi, të cilët e shohin veten si pjesë të rrugëtimit politik. Të rinjtë nga Plava, Gucia, Malësia, Tivari dhe Ulqini ndoqën trajnimin programi i të cilit ishte i fokusuar në politikë dhe media.
Trajnerët ishin figura të njohura, kryesisht nga Shqipëria, me një bagazh mediatik dhe politik, figura që kanë njohuri dhe përvojë, e cila duhet përcjellur te gjeneratat e reja.
Ditën e parë të trajnimit u diskutua për idetë politike, pjesëmarrjen politike, format e ndryshme të angazhimit politik, u dhanë shembuj të karrierave televizive, u fol për paraqitjen televizive, duke e përmbyllur me fjalimin publik dhe mendimin kritik. Të gjitha këto njohuri, të rinjtë patën mundësi t’i përthithin nga trajnerët Adri Nurellari, Alban Dudushi, Ardian Lama dhe Ilir Kalemaj.
Dita e dytë e trajnimit nisi me temën që ngërthente internetin, rrjetet sociale me mënyrat se si të rinjtë mund t’i përdorin ato për nevojat e tyre si liderë të ardhshëm, u fol për bazat e lidershipit e më pas u prek edhe lidhja dhe ndikimi i politikës në media dhe anasjelltas. Për trajtimin e temave të ditës së dytë ishin meritorë trajnerët Benjamin Kolenoviq, Neritan Sejamini dhe Arbër Hitaj.
Pjesëmarrësit në trajnim morën pjesë në mënyrë interaktive duke shprehur idetë dhe perceptimet e tyre dhe me njohuritë e reja që patën mundësi të vjelin nga ky trajnim, dolën shumë të kënaqur dhe optimistë për të ardhmen e tyre, gjegjësisht për aftësitë e veta në fushën e lidershipit.
Në fund të trajnimit dyditor, të rinjtë pjesëmarrës u pajisën me çertifikatë.
Trajnimi u organizua në kuadër të Planit të Veprimit për periudhën 2021-2022, për zbatimin e Strategjisë për pakicat kombëtare 2019-2023.
Vitin e kaluar, KKSH organizoi po ashtu një trajnim për të rinj. Në KKSH kanë deklaruar se puna me të rinj dhe rritja e potencialit të tyre do të jetë pikësynim i punës së tyre edhe në të ardhmen.
(Kohapress)
