Dënohen thirrjet raciste të tifozëve vendas

Në vend të një atmosfere sportive dhe festës së futbollit pas lejimit të rikthimit të shikuesve në tribuna, ndeshja finale e Kupës së Malit të Zi në futboll në stadiumin “Pod Goricom” ndërmjet Buduqnostit të Podgoricës dhe Deçiqit të Tuzit është kthyer në arenë sharjesh e ofendimesh të shqiptarëve nga tifozët vendas “Varvari” (Barbarët).
Ky veprim i grupit të tifozëve të Buduqnostit ka nxitur reagime të shumta nga subjektet politike shqiptare, krerët e institucioneve shtetërore etj.
“Terrenet sportive kanë qenë gjithmonë fushë për garë, e kurrë për shpërthim të urrejtjes dhe jotolerancës etnike”, ka shkruar në Twitter Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
Edhe kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Mr. Aleksa Beçiq, i ka dënuar brohoritjet e “Varvarëve” në stadiumin e Buduqnostit, duke thënë mjaft më me urrejtje, ndarje, mosdurim dhe tensione.
Veprimet e tifozëve të Buduqnostit i kanë dënuar edhe kryetari i Partisë Popullore Socialiste, Vlladimir Jokoviq dhe nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Strahinja Bullajiq.
Deputeti i Listës Shqiptare, Genci Nimanbegu, ka thënë se duke pasur parasysh çfarë ka ndodhur në stadiumin “Pod Goricom”, pret jo vetëm kërkim falje nga KF “Buduqnost”, por edhe reagimin e Federatës së Futbollit të Malit të Zi.
Ai madje ka thënë që për shkak të incidentit, Kupa duhet t’i merret “Buduqnost”-it si një mësim në mënyrë që forma e tillë e mbështetjes të mos përsëritet më.
Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, i cili ka qenë i pranishëm në stadium, ka deklaruar se vërtet që Deçiqi nuk e fitoi finalen në futboll, por ai vetë nga stadiumi ka dalë krenar, ballëlart, me krejt stafin, miqtë e klubit e tifozët e “Deçiq”-it, të cilët kundrejt gjithë asaj shprehjeje fashizmi treguan civilizim.
“Zemrën e kam sa Deçiqi! Fituam në arenën ku Malësia e njerëzimi kanë fituar gjithmonë, në atë të ndershmërisë, dinjitetit dhe civilizimit”, ka deklaruar ai.
Lidhur me këtë rast kanë reaguar edhe nga Forca e Re Demokratike, Lidhja Demokratike Shqiptare etj.
Përndryshe, “Buduqnosti” ka arritur të fitojë me rezultatin 3-1, duke siguruar edhe Kupën e Malit të Zi pasi që më parë ka fituar Kampionatin. Megjithatë, e gjithë kjo ka mbetur në hije të incidenteve të shkaktuara nga tifozët vendas.
Në anën tjetër, pas rikthimit këtë vit në Ligën e Parë të Malit të Zi, “Deçiqi” ka hyrë në histori pasi që ka arritur për të parën herë në historinë e tij 95-vjeçare të kualifikohet në kupat evropiane dhe në finalen e Kupës së Malit të Zi.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat