Urrejtja patologjike ndaj shqiptarëve, një kambanë alarmi

I konsiderojmë tronditëse e të papranueshme britmat ofenduese të një grupi të tifozëve huliganë kundër shqiptarëve, në ndeshjen e futbollit për Kupën e Malit të Zi, ndërmjet ekipit “Budućnost” të Podgoricës dhe “Deçiq”-it të Tuzit.
Siç na mëson historia, të vërtetat e hidhura janë thënë përmes lojërave dhe shfaqjeve skenike. Ky ishte rasti, por jo i vetëm që shpërfaqi në sy të botës, se ende në një pjesë të shoqërisë dhe familjeve në Mal të Zi mbillet fara e urrejtjes dhe racizmit në vend se ajo e tolerancës dhe harmonisë ndëretnike.
Shqiptarët nuk mund të ofendohen nga një grup tifozësh të vetëshpallur “barbarë”, por kjo është një kambanë alarmi për ne, sepse ende në vetëdijen e një pjese të shoqërisë në këtë vend, ka zënë rrënjë urrejtja patologjike ndaj fqinjëve shekullorë – shqiptarëve.
Këto fenomene të përsëritura në forma të ndryshme, na tregojnë se sa shumë punë, përkushtim, sakrificë e unitet na duhet akoma sot, për të ruajtur identitetin tonë kombëtar, në një hapësirë ku herë pas here shpërfaqen elemente neofashiste ndaj pjesëtarëve të një kombi pakicë brenda Malit të Zi.
Normalisht, si shqiptarë në Malin e Zi, nuk ndihemi mirë nga britmat e tilla albanofobe dhe mund të perceptohen edhe si forma të presionit psikologjik ndaj shqiptarëve si pakicë kombëtare. Mëgjithatë, këto ngjarje as nuk na frikësojnë, as nuk na bëjnë të ndihemi inferiorë, sepse ndërgjegjjen kolektive e kemi të pastër, të bindur se kemi kontribuar për të mirë në këtë vend dhe nuk i detyrohemi askujt.
Ndihemi krenarë dhe vlerësojmë lart reagimin shembullor dhe civilizues të tifozëve të klubit të Deçiqit kundrejt provokimeve skandaloze të artikuluara nga grupe me bindje neofashiste.
Apelojmë ndaj të gjitha organeve përgjegjëse që të ndërmarrin të gjitha masat ndëshkimore ndaj aktorëve që kanë artikuluar britma ofenduese ndaj shqiptarëve, si mësim që të mos përsëriten më kurrë në të ardhmen. Ndërsa, të gjitha institucionet ndërkombëtare, të cilat monitorojnë respektimin e të drejtave të pjesëtarëve të popujve pakicë në Malin e Zi, të evidentojnë dhe raportojnë për këto ngjarje, thuhet në reagimin e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat