Muzika e tij, trashëgimi dhe dhuratë për brezat

Në fjalën e rastit, Jusuf Lika, ish-student i profesorit dhe ish-drejtor i Shkollës së Muzikës në Ulqin, ka thënë se prof. Fahri Beqiri i takon plejadës së dytë të kompozitorëve në Kosovë dhe ka shkëlqyer në botën e muzikës serioze dhe muzikës sonë popullore

Ulqin – Me një orë përkujtimore të organizuar të mërkurën e kaluar në Shkollën e Muzikës në Ulqin, është përkujtuar profesori i muzikës dhe kompozitori i njohur nga Kosova, Fahri Beqiri, i cili u nda nga jeta para disa ditësh në Prishtinë.
Ora përkujtimore ka filluar me një minutë heshtjeje.
Në fjalën e rastit, Jusuf Lika, ish-student i profesorit dhe ish-drejtor i Shkollës së Muzikës në Ulqin, ka thënë se prof. Fahri Beqiri i takon plejadës së dytë të kompozitorëve në Kosovë dhe ka shkëlqyer në botën e muzikës serioze dhe muzikës sonë popullore.
“Unë dhe kolegët e mi e mbajmë mend dhe kemi shumë kujtime nga vitet e studimeve në Akademinë e Arteve e më pas profesori ishte shpesh mik i familjes sime. Ai kishte një dashuri të veçantë për Ulqinin, detin, njerëzit e thjeshtë, muzikën tonë autoktone etj.”, ka thënë ai.
Lika ka thënë se angazhimi dhe puna e profesorit mund të vështrohet në shumë aspekte.
“Ai ishte udhëheqës i shumë shoqërive kulturore-artistike, orkestrave popullore. Ai drejtoi Ansamblin e Këngëve dhe Valleve ‘Shota’, ishte kryetar i Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës, kryeredaktor i RTP-së dhe bartës i funksioneve të tjera të rëndësishme të cilat i kreu me përkushtim dhe nder”, ka theksuar ai, duke shtuar se ai u ka lënë dhuratë brezave muzikën e tij.
Moderatori i orës përkujtimore, gazetari Zenel Katana, ka thënë se “arti dhe artdashësit shqiptarë humbën artistin e madh dhe kompozitorin që ndriçoi me artin e tij, në kohë paqeje por edhe të errëta për Kosovën duke lënë pas një krijimtari të vyer, për të cilën do të përmendet brez pas brezi”.
Gjatë orës përkujtimore profesoreshat e Shkollës së Muzikës, pianistja Fatime Katana – Buzuku dhe sopranoja Gjylie Pelingu – Hoxha interpretuan pjesën “Shkoj e vij fluturim si zogu”, të kompozuar nga profesor Fahri Beqiri.
Fahri Beqiri u lind në Mitrovicë, në vitin 1936. Dashuria e pasioni për muzikën lindën tek ai shumë herët. Ai u diplomua në Akademinë Muzikore në Beograd. Ka punuar në shumë institucione të rëndësishme të Kosovës. Për kontributin e tij artistik është vlerësuar me çmime, urdhra dhe medalje të shumta.
Gjatë vitit të fundit Kosova dhe bota shqiptare në përgjithësi humbën një numër të konsiderueshëm të artistëve të njohur.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat