Tuz – Komuna e Tuzit gjatë një debati publik, javën e kaluar ka bërë prezantimin e planit strategjik të zhvillimit për periudhën pesëvjeçare, 2021-2026.
Në këtë dokument të hartimit të këtij plani, thuhet se potencialet e shumta që ka Komuna e Tuzit duhet të shfrytëzohen, se problemet dhe sfidat duhet të njihen dhe të zgjidhen në mënyrë sistemore, dhe se zhvillimi duhet të jetë i planifikuar dhe harmonik.
“Në pesë vitet e ardhshme në Malësi do të realizohen investime të reja të shumta, do të valorizohen kapacitetet turistike, do të realizohen projekte të reja kapitale – infrastrukturore. Kjo do ta avancojë jetën e banorëve të Tuzit, do të përshpejtojë rritjen ekonomike, do të rrisë punësimin, do të avancojë cilësinë e jetës dhe do të kontribuojë që Malësia të bëhet një bashkësi e suksesshme, e aftë për t’i shfrytëzuar shanset e veta për zhvillim, gjë që paraqet edhe misionin tonë themelor”, thuhet në këtë dokument.
Më tutje theksohet se me përpilimin e këtij plani strategjik të zhvillimit të Komunës së Tuzit, po tregohet një qasje serioze dhe e përgjegjëse për zhvillimin e Komunës së Tuzit.
Sipas dokumentit në fjalë, qëllimi i përgjithshëm strategjik i Komunës së Tuzit në periudhën e ardhshme është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe kualiteti i avancuar i jetës së qytetarëve të Tuzit që do të realizohet përmes arritjes së tri qëllimeve strategjike në kuadër të së cilave janë definuar fushat prioritare.
“Krijimi i kushteve për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe për tërheqjen e investimeve. Zhvillimi i prodhimit bujqësor dhe avancimi i konkurrencës. Krijimi i kushteve për zhvillim dhe diversifikim të turizmit dhe ofertës turistike. Valorizimi i resurseve natyrore. Infrastruktura e avancuar komunale, komunikacioni dhe ruajtja e mjedisit jetësor. Avancimi i furnizimit me ujë në zonat qendrore dhe rurale. Avancimi i menaxhimit të ujërave të ndotura”, thuhet në këtë hartim plani.
Gjithashtu, si prioritete radhitet edhe avancimi dhe zhvillimi i shërbimeve komunale dhe infrastrukturës komunale, ndërtimi dhe rikonstruktimi i infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, ndërtimi i infrastrukturës tjetër publike. Ekologjia dhe mbrojtja e mjedisit jetësor. Avancimi i efikasitetit energjetik, i burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe përshtatshmëria ndaj ndryshimeve klimatike.
“Qasshmëria e avancuar dhe kualiteti i shërbimeve shoqërore, avancimi i mbrojtjes shëndetësore, avancimi i mbrojtjes sociale dhe inkluzionit të grupeve vulnerabile. Avancimi i kushteve dhe kualiteteve të arsimimit. Avancimi i kushteve për zhvillimin e sportit dhe rekreacionit. Promovimi dhe zhvillimi i kulturës”, thuhet në këtë plan strategjik.
Dokumenti thekson se përmes planifikimit strategjik si mekanizëm themelor zhvillimor, qeverisja lokale tenton të krijojë kushtet për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për përmirësimin e kualitetit të jetës së banorëve në territorin e Komunës së Tuzit dhe se përgatitja e këtij dokumenti strategjik është bazuar në qasjen participative përmes formimit të grupit punues dhe konsultativ, anëtarët e së cilit janë përfaqësues të segmenteve të ndryshme të shoqërisë, të cilët me rastin e përpilimit kanë dhënë kontributin e tyre në planifikimin e zhvillimit të Komunës së Tuzit.
Ky është plani i parë strategjik i zhvillimit të Komunës së Tuzit.
t. u.
