Gjukanoviq: Mali i Zi duhet ta rrisë pjesëmarrjen në KFOR

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, tha se ky shtet duhet të rrisë pjesëmarrjen e tij në misionin e KFOR-it.
Në një konferencë të përbashkët për media me shefin e Aleancës Veri-Atlantike, Jens Stoltenberg, Gjukanoviq nga Brukseli tha të martën se nuk ka asnjë arsye serioze që Mali i Zi nuk duhet të ketë pjesëmarrje më aktive në KFOR.
“Ngurrimet janë të natyrës politike. Ngurrimet po përpiqen t’i forcojnë ata që janë kundër pavarësisë së Kosovës, të cilët ende mendojnë se ky ka qenë një gabim dhe të cilët përpiqen të kthejnë rrotën e historisë. Unë mendoj se ky është një mision i pamundur dhe nuk duhet t’i nënshtrohemi kësaj politike që na kthen prapa”, tha Gjukanoviq.
Sipas tij, është edhe obligim i Malit të Zi, si shtet nga rajoni, që edhe më shumë se shtetet tjera të japë kontributin e tij si anëtar i NATO-s, për stabilitetin e rajonit.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri-Atlantike (NATO), Jens Stoltenberg, ka thënë se përfshirja e ushtrisë së Malit të Zi në misionin e KFOR-it në Kosovë, do të kontribuonte për paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Do të mirëprisja kontributin nga Mali i Zi për KFOR-in, sepse një gjë e tillë do të mbështeste punën e rëndësishme të KFOR-it dhe do të ndihmonte që të sigurohej paqja dhe stabiliteti në Kosovë dhe për rajonin. Mali i Zi do të ndihmonte në stabilitetin e rajonit dhe do të punonte me aleatët dhe partnerët e tjerë të NATO-s në misionin e KFOR-it”, ka thënë ai.
Këto komente të Gjukanoviqit dhe Stoltenbergut vijnë pasi Qeveria e Malit të Zi është shprehur kundër dërgimit të një toge të këmbësorisë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe për këtë si arsyetim është përmendur pandemia.
Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi, më herët, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ky shtet nuk planifikon që të dërgojë gjatë këtij viti, një togë të këmbësorisë në misionin e KFOR-it në Kosovë.
“Për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi dhe për shkak të kufizimeve buxhetore, ushtria e Malit të Zi nuk planifikon më 2021 të kryejë aktivitete dhe ushtrime të përbashkëta, trajnime ose angazhim të togjeve të këmbësorisë në misionin e KFOR-it në Kosovë”, kanë thënë nga Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi kur u pyetën për arsyen se pse kanë hequr dorë nga dërgimi i trupave në misionin e KFOR-it.
Aktualisht, Mali i Zi ka një mision në KFOR, që përbëhet nga një zyrtar ushtarak dhe një zyrtar civil i Ministrisë së Mbrojtjes.
Kundërshtime për dërgimin e ushtarëve në misionin e KFOR-it ka pasur edhe nga zyrtarë të partisë në pushtet në Mal të Zi, Frontit Demokratik.
Vendimin për pjesëmarrjen e Malit të Zi në misionin e KFOR-it e merr parlamenti malazez, pas nismës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe mendimit të Këshillit për Mbrojtje dhe Siguri, të kryesuar nga presidenti i vendit.

(Kohapress/REL)

Të fundit

më të lexuarat