Apel qytetarëve për kujdes ndaj pastërtisë së hapësirave publike

Tuz – Bashkëpunimi për mirëmbajtjen e pastërtisë publike në trevën e Komunës së Tuzit ka qenë në fokus të takimit të zhvilluar ndërmjet SHPK “Komunale” dhe Policisë Komunale.
Nga këto shërbime është konstatuar se kohëve të fundit, edhe përkundër angazhimit maksimal të shërbimeve komunale, ka një pakujdesi të tepruar ndaj ruajtjes së ambientit dhe ndaj higjienës në hapësirat publike.
Në njoftimin e përbashkët për opinion publik të SHPK “Komunale” dhe të Policisë Komunale theksohet se pakujdesia ndaj ruajtjes së ambientit konsiston në veçanti në deponimin vend e pa vend të mbeturinave inerte.
“Prandaj, SHPK “Komunale” së bashku me Policinë Komunale kanë vendosur të intensifikojnë veprimtarinë e tyre në pastrimin dhe mbikëqyrjen e hapësirave publike. Sepse, në prag të sezonit turistik dhe të temperaturave ekstreme gjatë muajve të verës rrezikohemi nga ndotja dhe infektimet, prandaj kërkohet një angazhim shtesë për mirëmbajtjen e hapësirave publike në mjedisin ku jetojmë”, thuhet në njoftim.
Nga këto shërbime komunale presin mbështetje nga qytetarët në mënyrë që mbeturinat të deponohen në vendet e duhura, me ç’ gjë siç kanë thënë, qytetarët do të ndihmonin këtë aksion dhe do të evitonin pasojat eventuale për shëndetin publik, por edhe pasojat për shkak të veprimeve që nuk janë në pajtim me ligjin.
Nga SHPK “Komunale” dhe nga Policia Komunale u kërkojnë qytetarëve që mbeturinat shtëpiake t’i hedhin në kazanë apo edhe në thasë plasmasi, kurse për mbeturinat inerte dhe ato bujqësore t’i kontaktojnë shërbimet komunale në adresën elektronike: info@komunalno-tz.me ose në numrat: 382 20/ 875-129 dhe 067/ 073-295.
“I lusim qytetarët që të na bashkëngjitën në këtë aksion për mirëmbajtjen e oborrit tonë të përbashkët”, përmbyllet ky njoftim i firmosur nga drejtori ekzekutiv i SHPK “Komunale”, Nikollë Camaj dhe nga kryeshefi i Policisë Komunale, Rexhep Çunmulaj.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat