Mali i Zi dhe Kosova janë duke bërë përpjekje që marrëveshja për njohjen reciproke të policave për sigurimin e automjeteve të hyjë sa më parë në fuqi.
Këtë e ka konfirmuar në një intervistë për portalin Ekonomia Online drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të nxjerrë një udhëzim të ri për regjistrimin e automjeteve, që po ashtu do të ndihmonte në procesin për ta bërë Kosovën pjesë të Kartonit të Gjelbër.
Mes tjerash, Mazreku ka theksuar se janë në diskutime me Malin e Zi në mënyrë që qytetarët e dy vendeve të lëvizin lirshëm pa pasur nevojë të paguajnë për policën e sigurimit të automjetit.
Drejtori i BKS-së ka thënë se janë duke bërë përpjekje që marrëveshja të përfundojë sa më shpejt dhe të hyjë në fuqi nga data 1 qershor e këtij viti.
“Që nga data 1 mars kam rifilluar diskutimin me Malin e Zi. Për një kohë kaq të shkurtër mund t’ju konfirmoj se kemi arritur deri te diskutimet teknike që kanë të bëjnë me një fond garantues në modalitetet e marrëveshjes. Ajo që po bëjmë kohëve të fundit është diskutimi brenda organeve të Byrosë. Besoj shumë shpejt do të marrim një vendim për ndarjen e një fondi me Malin e Zi, fond ky që garanton në kohë reale pagesën e dëmeve përmes të dyja vendeve. Pasi të tejkalojmë këto diskutime teknike, ajo çka na mbetet neve është caktimi i një date nënshkrimi të marrëveshjes dhe ajo çka unë kam kërkuar duke ditur që tashmë fillon edhe sezoni veror, që kjo marrëveshje të jetë në fuqi nga data 1 qershor. Ky është një lajm i mirë për qytetarët, sepse gjatë kohës së verës nuk kemi nevojë të presim për të paguar një sigurim kufitar. Ajo çka kemi diskutuar është edhe njohja reciproke e policave të sigurimit, që i bie që Mali i Zi në Kosovë hyn me karton të gjelbër. Ndërsa ne nga Kosova do të udhëtojmë me të njëjtin sigurim që udhëtojmë edhe në Maqedoni”, ka thënë ai.
Ditë më parë është dhënë lajmi se Mali i Zi dhe Kosova kanë hequr pagesën për policën e sigurimit, gjë që rezultoi të ishte i pavërtetë.
(Kohapress)
