Triesh – Shkolla Fillore “Gjergj Kastrioti-Skendërbeu”, javën e kaluar mori dy automjete (furgona) për transportin e nxënësve të kësaj shkolle, donacion ky nga Fondi Humanitar “Trieshi”, të cilin e përbëjnë bashkëvendasit nga Trieshi dhe Malësia që jetojnë në SHBA, përkatësisht në Nju Jork dhe Miçigan.
Drejtori i sapoemëruar i këtij institucioni edukativo-arsimor, z. Leon Gjuravçaj, në një prononcim për gazetën “Koha Javore”, u shpreh se ky kontribut i bashkatdhetarëve tonë ka një rëndësi shumëdimensionle, sepse siç tha, falë këtij donacioni nxënësve u mundësohet shkollimi pa pengesa dhe në kushte shumë më të volitshme, për të ecur drejt shtigjeve të dijes, arsimit, kulturës dhe të diturisë në përgjithësi.
“Falënderoj të gjithë donatorët, edhe ata nga Malësia që mbështetën dhe iu bashkangjitën këtij aksioni të bashkëvendasve në diasporë, për përkrahje e kontribut me mjete të konsiderueshme në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm, duke siguruar dy kombi-busa, një për nxënësit e SHF ‘’Gjergj Kastrioti-Skënderbeu’’, me vlerë prej 31.800 euro, dhe një tjetër me vlerë prej 31.600 euro, për gjimnazistët e Trieshit, të Kojës, Fundnave, Malit të Kakarriqit, Omerbozhajve, dhe të fshatrave të tjera që mësimin e ndjekin në Shkollën e Mesme të Përzier ‘’25 Maji’’ në Tuz”, shprehet Gjuravçaj.
Ai, duke falënderuar dhe duke shprehur mirënjohje të pafundmë për bamirësit e arsimdashësit që jetojnë në SHBA, vlerësoi këtë vepër humane si shumë të qëlluar e cila siç tha, shkon në dobi të përparimit, të avancimit, dhe të organizimit të përgjithshëm të procesit edukativo-arsimor në këtë institucion.
“Kontributi i Fondit Humanitar “Trieshi” ka dëshmuar edhe deri më tani se trieshjanët, e për fat të mirë malësorët në përgjithësi, kudo jetojnë e veprojnë nuk e harrojnë kurrë vendlindjen e tyre. Falë donacioneve të trieshjanëve në mërgim, dhe jo vetëm të tyre, janë bërë investime të dukshme në Shkollën “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, duke filluar nga sigurimi i kompjuterave të parë gati para dy dekadave e deri te pajisja moderne para disa vitesh e kabinetit të informatikës, rregullimi dhe zgjerimi i oborrit të shkollës falë bujarisë e zemërgjerësisë të dhurimit të trollit, si dhe punimi i bustit të Heroit kombëtar “Gjergj Kastriotit- Skënderbeut”, që padyshim hijeshon shkollën si institucion”, thekson kreu i SHF “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në Triesh, Leon Gjuravçaj.
Ai më tej shton se ky donacion do të ndikojë në transformimin dhe valorizimin e Trieshit si bashkësi lokale, e krahas kësaj edhe në rritjen e numrit të nxënësve.
“Pse jo edhe në kthimin e banorëve që për shkak të mungesës së transportit të organizuar të fëmijëve pas përfundimit të shkollimit nëntë-vjeçar janë detyruar që familjarisht ta braktisin Trieshin, vetëm për t’i shkolluar fëmijët në shkollën e mesme”, përfundoi Gjuravçaj.
Me transport të organizuar përfshihen nxënësit nga Mali i Kakarriqit, Omerbozhajt, Podgorica si edhe ata të Bashkësisë lokale të Trieshit. Kështu që numri i nxënësve udhëtarë që shfrytëzojnë transportin vetëm në Shkollën Amë dhe në Paralelen Rudinë momentalisht është 29.
t. u.
