Marrëveshje për aplikim të përbashkët me projekte ndërkufitare

Guci – Delegacioni i Komunës së Gucisë i përbërë nga kryetarja e Komunës, Anella Çekiq, kryetari i Kuvendit të Komunës, Bujar Hasangjekaj, dhe nënkryetari i Komunës, mr. Huso Brdakiq, qëndroi të mërkurën e kaluar në vizitë zyrtare në Prishtinë, me ç’rast në Kolegjin “Universum” u takuan me përfaqësuesit e Komunës së Istogut, Hysni Maxharraj, drejtor për Buxhet dhe Financa, dhe Hajrush Shoshi, drejtor për Edukim dhe Kulturë.
Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Kolegjit në fjalë, profesorët për marrëdhënie ndërkombëtare dhe novacione, kurse shkak i takimit ishte marrëveshja në lidhje me tema të reja për projekte ndërkufitare në mes Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës.
Duke qenë se së shpejti pritet shpallja e thirrjes për projektet IPA sipas ftesës së re Mali i Zi – Kosovë, përfaqësuesit e dy komunave në fjalë dhe të Kolegjit kanë biseduar mbi përparësitë tematike, qëllimet dhe idetë që së bashku të aplikojnë me projekte.
“U deklaruam për bashkëpunim të ndërsjellë në të gjitha fushat me interes për aplikim të përbashkët në IPA projekte që financohen nga Bashkësia Evropiane. Diskutuam edhe për mundësinë e regjistrimit të studentëve nga Plava e Gucia me kushte më të volitshme”, u shpreh për “Koha javore” kryetari i Kuvendit të Komunës së Gucisë, Bujar Hasangjekaj.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat