Një iniciativë e pakuptimtë dhe e papranueshme për shqiptarët

Ulqin – Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi e cilëson të pakuptimtë, të papranueshme dhe tendencioze për shqiptarët iniciativën e paralajmëruar të Qeverisë së Malit të Zi, gjegjësisht të Ministrisë së Punëve të Brendshme, mbi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për regjistrat e vendbanimit dhe vendqëndrimit.
Ndonëse propozimet e ndryshimeve dhe plotësimeve të këtij ligji nuk janë bërë akoma zyrtare, opozita dhe mediat e ndryshme kanë bërë të ditur se përmes tyre synohet fshirja nga regjistrat e zgjedhësve të atyre qytetarëve të Malit të Zi, të cilët jetojnë në diasporë, duke ua pamundësuar në këtë mënyrë të drejtën e votimit.
Në një shkresë drejtuar kryeministrit të Malit të Zi, prof. dr. Zdravko Krivokapiq, KKSH shpreh dyshimin se pas kësaj inciative fshihen qëllime të caktuara politike për t’u arritur në të ardhmen.
“Për ne kjo është e papranueshme, e dëmshme, tendencioze, sigurisht edhe me pasoja sa i përket treguesve të strukturës etnike në të ardhmen, si popull autokton në këto troje, me tradita e prona të trashëguara brez pas brezi. Ju njoftojmë se qëndrimet tona për këtë çështje janë të qarta. Jemi kundër ndryshimeve të cilat synojnë të dëmtojnë, diskriminojnë e ‘përjashtojnë’ diasporën tonë nga proceset e ardhshme në Mal të Zi, të cilat, po ashtu, vlerësojmë se do të kenë ndikim negativ të drejtpërdrejtë edhe për shqiptarët që jetojnë këtu. Po ashtu, vlerësojmë se diaspora duhet të ketë përparësi absolute për çdo vendimmarrje në Mal të Zi, madje përpara të gjithë atyre që kanë ardhur së fundmi nga vende të ndryshme të botës dhe jetojnë këtu që disa vite”, theksohet në këtë shkresë.
KKSH përkujton se diaspora ka dhënë një kontribut të madh për Malin e Zi në të gjitha kohët, përfshirë edhe përballjen me pandeminë e shkaktuar nga COVID-19.
“Edhe pse janë larguar nga vendlindja, ata vazhdimisht kanë kontribuar dhe kontribuojnë për vendlindje në forma të ndryshme nga remitancat, përmes të cilave për një kohë të gjatë është ruajtur stabiliteti socio-ekonomik në kohërat më të vështira për Malin e Zi, e deri më sot që vazhdojnë me ndihma financiare, me ilaçe e mjete të tjera të nevojshme për përballimin e pasojave të pandemisë Covid-19, po aq përmes investimeve në vendlindje, hapjen e bizneseve, zhvillimin dhe valorizimin e pronave të veta etj.”, thuhet në shkresën dërguar kryeministrit të Malit të Zi.
KKSH kërkon nga Krivokapiqi që të rishqyrtojë qëndrimin lidhur me këtë çështje, duke marrë mendim nga pjesëtarët e të gjitha komuniteteve që përbëjnë Malin e Zi, sepse kjo nismë nuk do t’i sjellë asnjë të mirë Malit të Zi, sidomos pjesëtarëve të pakicave kombëtare.
Në të kundërt, KKSH ka thënë se do të jenë të detyruar të angazhohen “me të gjitha mjetet demokratike kundër kësaj nisme, me qëllim që të drejtat e bashkatdhetarëve tanë që ndodhen në diasporë, të mos cenohen, por të avancohen”.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat