Të bashkuar për valorizimin e Kripores

Ulqin – Në kuadër të vizitës së saj në Komunën e Ulqinit, shefja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Malin e Zi, Ambasadorja Oana Kristina Popa ka vizituar të mërkurën e kaluar Kriporen e Ulqinit.
Ajo është pritur nga kryetari i Komunës së Ulqinit, Aleksandar Daboviq me bashkëpunëtorë, përfaqësues të Ndërmarrjes Publike “Parqet Kombëtare të Malit të Zi”, Qendrës për Mbrojtjen e Zogjve, Shoqatës “Dr. Martin Schneider – Jacoby” etj.
“Jam e impresionuar me pasuritë natyrore të Kripores së Ulqinit. Kriporja nuk është vetëm perlë nacionale, por edhe evropiane dhe vendstrehim unik për zogjtë shtegtarë”, ka thënë Ambasadorja Popa.
Ndërkaq kryetari i Komunës së Ulqinit, Aleksandar Daboviq, ka thënë se i vjen mirë që të gjithë kanë një qëllim dhe ai është valorizimi i kësaj zone për turizëm, prodhim dhe si një resurs i rëndësishëm mjedisor.
Komuna e Ulqinit e ka shpallur park natyror Kriporen e Ulqinit dhe ka hartuar planin pesëvjeçar të menaxhimit. Megjithatë, problemi qëndron në çështjen e pronësisë pasi që Kriporja e Ulqinit është privatizuar nga kompania Eurofond, e cila për shkak të falimentimit e ka nxjerrë në shitje këtë ndërmarrje, por ekziston kontesti gjyqësor lidhur me pronësinë e tokës.
“Ne presim që Qeveria e Malit të Zi të ndërmarrë hapa konkretë për të zgjidhur çështjen e pronësisë së Kripores së Ulqinit dhe rregullimin e të drejtave të ish-punëtorëve, sepse ajo ka qenë një pengesë e madhe deri më tani. Parku Natyror ‘Kriporja e Ulqinit’ meriton të qëndrojë në themele të shëndosha”, ka thënë Daboviq.
Gjatë vizitës së saj në Ulqin, Ambasadorja Popa ka takuar edhe përfituesit e projekteve që janë financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar.
Ajo ka thënë se Ulqini dhe Tivari janë ndër komunat që kanë shfrytëzuar më shumti programet e BE-së për bashkëpunim ndërkufitar, duke nënvizuar se për 22 projekte ndërkufitare në këto dy komuna janë investuar 20 milionë euro.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat