
Publiciteti dhe reklama duken të ngjashme dhe për këtë arsye shumë njerëz i marrin për të njëjtën gjë, por me të gjitha të përbashkëtat e tyre, ato kanë disa dallime të rëndësishme. Publiciteti duhet t’i interesojë konsumatorit sepse është i pakontrollueshëm, dhe mund ta konsiderojë më tepër. Megjithatë edhe reklamat kanë rëndësinë e tyre, të cilat për kompaninë janë të domosdoshme që produkti apo shërbimi të ketë sukses në treg, ndërsa konsumatorit i shërbejnë për tu njoftuar mbi ekzistencën dhe informacionet bazë të këtyre produkteve apo shërbimeve.
Reklamat i shohim dhe dëgjojmë kudo, po publicitetin në ç’formë e marrim? Në fakt atë e ndeshim çdo ditë, nga një mik, i afërm apo i njohur i yni. Rëndësia e publicitetit vërehet atëherë kur secili prej nesh i merr më tepër në konsideratë përshtypjet e atij që njohim, sesa përshtypjet e një personi të panjohur që shfaqet në reklamë. Mirëpo, me gjithë vërtësinë që mund të përmbajë publiciteti, nuk duhet harruar se çfarë është e mirë për dikë, domosdoshmërisht mund të jetë e mirë edhe për ne, sidomos kur bëhet fjalë për produktet e kujdesit ndaj lëkurës, flokëve, produkte mjekësore apo medikamente të ndryshme për shtim apo humbje në peshë, e të tjera si këto.
Në ditët e sotme, blerjet online sa na lehtësojnë punë, nganjëherë bëhen bëhen mjaft të komplikuara. Të blesh online ofron lehtësi sepse mund të informohesh e të sigurohesh nëpërmjet publicitetit që gjendet kudo, ndërsa ky proces bëhet i komplikuar për shkak të mashtrimeve të shumta që vijnë nga faqe të pakontrolluara që shesin në internet. Reklamat e pafundme që qarkullojnë në rrjete sociale apo uebsajte të ndryshme, ia dalin të tërheqin vëmendjen, të joshin, të bindin çdo ditë konsumatorë të rinj. Por, për të gjithë ata që duan të blejnë online, është e domosdoshme që të shikojnë përshtypjet e blerësve poshtë postimeve për gjënë në fjalë, në mënyrë që të parandalojnë sa më shumë blerjet e gabuara.
Një hap tjetër që është mirë të hidhet para se të kryhet porosia nëpërmjet internetit apo celularit, kur nisemi nga një reklamë dhe jo vetëm, është kërkimi i informacionit tek shitësit rreth produktit për funksionet, cilësinë apo autenticitetin e tij. Duhet siguruar se ato që shikuam në reklamë, përkojnë me porosinë që po bëjmë dhe se i plotësojnë vërtetë kërkesat dhe nevojat tona. Gjithashtu, edhe për aspekte të tjera si, lejimi i kthimit të produktit apo jo, posta me pagesë apo falas, të paturit përafërsisht idenë se për sa kohë mund të vijë porosia, mund të shtrohen si pyetje në fillim që më pas të mos lindin pakënaqësi të panevojshme.
Ofertat që bëjnë dyqanet, kompanitë, agjensitë e biznese të tjera, janë një reklamë që vjen në formë lajmi të mirë për të gjithë ne. Por, a ju ka ndodhur ndonjëherë të dyshoni për shumën e zbritur? Nëse jo, bëjeni! Mos blini asnjëherë në mënyrë të mënjëhershme me të parën herë që shihni diçka. Me siguri ajo që po kërkoni ju nuk ofrohet vetem nga një faqe e vetme. Gërmoni online dhe shikoni se në çfarë çmimi shiten ato në dyqane tjera, kombëtare apo ndërkombëtare. Ndoshta oferta që ju vjen në formë reklame, është çmimi fillestar ose edhe më i lartë. Përveç kësaj, krahasimi i çmimeve brenda dhe jashtë vendit është i nevojshëm që për shembull të mos paguash 100 euro për një produkt në Mal të Zi, i cili në një shtet tjetër evropian kushton 20 euro, kur fare mirë mund të kryesh një blerje në faqe që operojnë në shtete të ndryshme të botës.
