Guci – Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë së Malit të Zi që me rastin e formimit të pikave për vaksinim kundër koronavirusit Covid-19 mos ta përfshijë edhe Gucinë, ka shkaktuar mllef, revoltë dhe komente të shumta të qytetarëve të Komunës së Gucisë në rrjetet sociale.
Është paraparë që qytetarët e Gucisë me rrethinë për vaksinë të shkojnë në Plavë, që sipas komentimeve udhëtimi vetëm rrit rrezikun nga infektimi.
Në konferencën për shtyp të Ministrisë së Shëndetësisë, të mbajtur në Podgoricë, gazetarët kanë pyetur drejtorin e Shtëpisë së Shëndetit, dr. Danillo Jokiq, për ç’arsye Komuna e Gucisë nuk ka fituar pikë të veçantë për vaksinim, dhe se banorët e kësaj komune detyrohen të udhëtojnë në Plavë, me ç’rast në të dy drejtimet t’i kalojnë rreth 25 kilometra.
Dr. Jokiq ka deklaruar se vlerësimi i Shtëpisë së Shëndetit në Plavë është që mund të organizojnë vaksinimin në Plavë për banorët e Gucisë, por ai ka shtuar se sërish do të shqyrtojnë vendimin dhe do të arrijnë te zgjidhja që do të jetë më e mirë për banorët e Gucisë.
Çështja e mungesës së pikës për vaksinim në Guci është aktualizuar dhe komentuar edhe në seancën e Kuvendit të Komunës së Gucisë, të mbajtur më 19 prill 2021, me ç’rast këshilltarët e kanë pyetur drejtorin e Shtëpisë së Shëndetit në Plavë, dr. Omer Shahmanoviq, në përbërje të së cilës punon edhe Stacioni Shëndetësor i Gucisë, me rastin e elaborimit të tij përkitazi me informatën mbi realizimin e kujdesit shëndetësor në Komunën e Gucisë në vitin 2020, pse Gucia është komuna e vetme në Mal të Zi pa pikë për vaksinim?
Dr. Shahmanoviq premtoi se ky problem do të zgjidhet shumë shpejt dhe se edhe Komuna e Gucisë do ta ketë pikën e vaksinimit.
Shaban Hasangjekaj
