Plavë/Guci – Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim Ndërkombëtar (TIKA) do të vazhdojë edhe në të ardhmen kontributin e vet në zhvillimin e veriut të Malit të Zi, përmes formave të ndryshme të ndihmës, mbështetjes dhe edukimit në interes të banorëve lokalë.
Kjo është deklaruar nga zyra e kryetarit të Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, i cili bashkë me kryeadministratorin e komunës Ervin Kandiq, pritën të mërkurën e kaluar në takim koordinatorin e ri të Agjencisë TIKA në Mal të Zi, Abdurrahman Toprak, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e vet Merdan Krlliq dhe Asmir Spahiq.
Canoviq ka falënderuar përfaqësuesit e Agjencisë TIKA për stërvitjen e planifikuar të zjarrfikësve, e cila ka për qëllim aftësimin e pjesëtarëve të Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit – zjarrfikësve, në mënyrë që ata sa më të përgatitur t’u përgjigjen rasteve gjatë ndërhyrjeve.
Në takimin miqësor dhe konstruktiv bashkëbiseduesit kanë konstatuar suksesin e përkrahjes së bujqësisë në formë të serave, andaj kanë theksuar shpresën se në të ardhmen e afërt do të ketë edhe më shumë linja të tilla të mbështetjes, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë avancojnë zhvillimin e bujqësisë në këto hapësira.
Po të njëjtën ditë, koordinatori i Agjencisë TIKA, Abdurrahman Toprak me bashkëpunëtorët e vet vizituan Komunën e Gucisë, ku biseduan me kryetaren Anella Çekiq dhe nënkryetarët mr. Huso Brdakiq dhe Edon Balidemaj.
Në takim është folur për përgatitjen dhe zbatimin e stërvitjes së zjarrfikësve, që do të realizohet në Komunën e Gucisë për njëzet pjesëmarrës nga shërbimet e mbrojtjes dhe shpëtimit nga Gucia, Plava, Berani dhe Zhablaku, në periudhën kohore prej 19-24 prill të këtij viti, ku ligjërues do të jenë profesionistët eminentë nga Republika e Turqisë.
Në takim është biseduar edhe mbi bashkëpunimin e ardhshëm në sferat e turizmit, bujqësisë, edukimit etj.
Përfaqësuesit e Komunës së Gucisë falënderuan mysafirin e lartë nga Turqia me bashkëpunëtorë për vizitën e bërë dhe për kontributin që do të japin për organizimin e stërvitjes së zjarrfikësve.
Sh. Hasangjekaj
