Guci – Me rastin e qëndrimit disa ditësh në vendlindje – në lagjen Kukaj të fshatit Krushevë, kryetari i Fondacionit “Plavë Guci”, me seli në Nju Jork, Fahrudin Kukaj, para pak ditësh vizitoi Komunën e Gucisë, ku e pritën krerët e qeverisjes lokale, kryetarja e Komunës Anella Çekiq dhe kryetari i Kuvendit të komunës, Bujar Hasangjekaj.
Gjatë takimit është biseduar mbi situatën aktuale në Komunën e Gucisë, me theks dhe përkushtim të veçantë mbi gjendjen dhe situatën epidemiologjike të shkaktuar nga pandemia Covid-19.
Palët në takim janë pajtuar se gjithsesi duhet intensifikuar bashkëpunimin e ndërsjellë me diasporën dhe me të gjitha shoqatat e saj, e gjithë kjo në dobi të qytetarëve të Komunës së Gucisë.
Kryetarja e Komunës dhe kryetari i Kuvendit, Anella Çekiq dhe Bujar Hasangjekaj, kanë falënderuar kryetarin e Fondacionit “Plavë Guci”, Fahrudin Kukaj, për vizitën dhe për donacionin në formë të pajisjes medicinale për ambulancën e Gucisë dhe për vetë komunën.
Me këtë rast, kryetari i Kuvendit të komunës së Gucisë, Bujar Hasangjekaj, në prononcimin për gazetën “Koha Javore” theksoi se me kryetarin e Fondacionit “Plavë Guci” biseduan “për mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Gucisë dhe Fondacionit “Plavë Guci”, për mundësinë e takimeve të rregullta në mes të komunës dhe organizatave të tjera të cilat veprojnë në SHBA, e krejt kjo me qëllim të mundësisë së dhënies së kontributit për vendlindje, kontribut ky që nuk ka munguar asnjëherë nga bashkëvendësit tanë në diasporë”.
Ai tregoi se në emër të veprimtarit dhe humanistit Mark Gjonaj, i cili jeton dhe punon në Amerikë, dhe shoqatave shqiptare nga Mali i Zi që veprojnë në SHBA, Kukaj i dhuroi Komunës dhe ambulancës së Gucisë donacion maska dhe aparat për matjen e temperaturës.
“Me këtë rast falënderojmë veprimtarin dhe humanistin Mark Gjonaj dhe Fondacionin “Plavë Guci” për interesimin dhe kontributin e tyre të pareshtur për bashkëvendësit në vendlindje”, deklaroi Hasangjekaj.
Sh. Hasangjekaj
