Plavë/Guci – Nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi, Dr. Dritan Abazoviq me bashkëpunëtorët e vet, qëndroi të premten në vizitë zyrtare në komunat e Plavës dhe Gucisë, me ç’rast u takua me kryetarët e komunave në fjalë dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Në takimin në Plavë, kryetari i asaj komune Nihad Canoviq ka folur mbi aktivitetet e veprimtarisë së punës, por edhe për problemet me të cilat ballafaqohet Komuna e Plavës. Me këtë rast, ai nënkryetarin e Qeverisë së Malit të Zi e ka njoftuar me investimet kapitale të cilat janë realizuar në tri vitet e kaluara, duke e falënderuar Qeverinë e kaluar dhe në vazhdim ka theksuar pakënaqësinë me projektin e Buxhetit të Qeverisë për vitin 2021.
Kryetari Canoviq, në këtë takim ka shfrytëzuar rastin të theksojë se ndryshimet e paralajmëruara të dispozitave ligjore që kanë të bëjnë me vendbanimet, shtetësinë dhe sistemin zgjedhor në Mal të Zi, i kanë prekur, revoltuar dhe mllefosur shumë qytetarë të kësaj ane, të cilët për shkaqe të ndryshme gjenden në mërgatë.
Nënkryetari Abazoviq ka theksuar se informatat e tilla janë të pavërteta, gënjeshtra të kulluara dhe manipulim i qytetarëve nga PDS-ja dhe satelitët e saj, se me këto ndryshime të parimeve ligjore diaspora do të privohet nga shtetësia.
Ai po ashtu ka deklaruar se reforma zgjedhore do të jetë në përputhje dhe harmoni me praktikën e Bashkimit Evropian dhe se veprimi që i njëjti person të votojë në dy shtete, gjithsesi do të ndërpritet.
Kryetarja e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq, në takimin me nënkryetarin e Qeverisë e ka njoftuar atë me projektet e planifikuara që komuna i realizon ose janë në fazën e planifikimit, si dhe me problemet rreth dosjeve të planeve.
Ajo po ashtu ka theksuar pakënaqësinë me projektin e Buxhetit të propozuar të Qeverisë për vitin 2021 në përmbajtjen e të cilit qartë vërehet se Qeveria ka ndarë shumë pak mjete për projektet e Komunës së Gucisë. Ajo po ashtu ka shprehur shqetësim ndaj ndryshimeve të paralajmëruara të ligjit mbi shtetësinë në pjesën e regjistrit të vendbanimit dhe vendqëndrimit me të cilin një numër i madh i qytetarëve të Komunës së Gucisë në diasporë do ta humbnin statusin e vendbanimit dhe në atë mënyrë do të bëhen qytetarë të rendit të dytë dhe të ndihen të parespektuar dhe të tradhtuar nga shteti të cilin bashkë me ne e kanë ndërtuar.
Kryetari i Kuvendit të Komunës së Gucisë, Bujar Hasangjekaj, ka falënderuar nënkryetarin e Qeverisë për vizitën dhe ka shprehur besimin në bashkëpunim të ndërsjellë të Qeverisë dhe Komunës së Gucisë.
Nënkryetari i Qeverisë Dritan Abazoviq ka theksuar se Gucia ka potencial shumë të madh për zhvillim të turizmit dhe se lidhshmëria më e mirë infrastrukturore me pjesën tjetër të Malit të Zi, kësaj treve do t’i sjellë ndryshim të dukshëm në të mirë. Në këtë drejtim, ai ka theksuar rëndësinë e përfundimit të punëve në ndërtimin e pikës së kalimit kufitar me Shqipërinë në Cem të Trieshit, aks rrugor ky i cili do të zvogëlojë largësinë në mes të Gucisë dhe Podgoricës në gjithsej 70 kilometra.
Në takimin e palëve në Guci është bërë fjalë edhe për mundësitë e shfrytëzimit të Fondit GREEN të BE-së për rregullimin e Krojeve të Ali Pashës, jo larg Gucisë, njërit ndër vendet më të njohura dhe më atraktive të kësaj komune. Palët në diskutim kanë shqyrtuar dhe trajtuar edhe një vistër çështjesh të tjera të rëndësishme për komunën.
Në pyetjen tonë se si të zgjidhet çështja e migrimit të popullatës nga kjo anë, me theks të veçantë të asaj shqiptare, nënkryetari Abazoviq u shpreh se zgjidhjen e këtij problemi të rëndësishëm, por edhe brengosës, e sheh në krijimin e mundësive të zhvillimit ekonomik dhe të kushteve që njerëzit nga kjo trevë të mos kenë nevojë të shpërngulen.
Me rastin e vizitës së nënkryetarit Abazoviq në Plavë, disa qytetarë të revoltuar protestuan duke bartur flamuj shtetërorë dhe transparentë në dorë me mbishkrimin “Këtu nuk është Serbi”, dhe duke u shprehur me fjalë ofenduese e fyese “hajn”, “tradhtar” etj. Shaban Hasangjekaj
