Një dukuri që kërkon vëmendje dhe angazhim të institucioneve

Mendoj se sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave, duhet të zgjojnë interesim dhe angazhim shtesë tek institucionet kompetente, në mënyrë që ato të impenjohen më shumë për të vepruar që kjo dukuri të mos bëhet një gjë e zakonshme, sepse gazetarët duhet të gëzojnë liri të plotë për të vepruar në interes të përgjithshëm të shoqërisë, të pandrojtur, pa pengesa në punë dhe në rrethana të volitshme të cilat nuk cenojnë para së gjithash, sigurinë fizike të gazetarëve gjatë kryerjes së misionit të tyre informativ

Toni Ujkaj

Misioni informativ i çdo gazetari i cili u qëndron besnik parimeve etike, profesionale dhe ligjore, është që të raportojë të vërtetën, nëpërmjet një informimi të saktë, të paanshëm, objektiv, të balancuar dhe kredibil, e në interes të përgjithshëm të shoqërisë.
Për të përmbushur detyrën e tij sa të shenjtë, aq dhe të vështirë dhe shpeshherë të rrezikshme, një gazetari i nevojitet që ai të punojë i lirë e i papenguar për të qenë në shërbim të publikut të cilin ai e përfaqëson dhe për ta informuar në mënyrën më të mirë të mundshme, mbi gjithçka që ndodhë në shoqëri.
Gazetaria është një profesion i cili në përditshmëri nuk është aspak i lehtë. Ka vështirësi dhe sfida për t’i përballuar. Por, për fat të keq, ky profesion nganjëherë bëhet edhe më i vështirë dhe thuajse “i pamundur” për t’u ushtruar. Kjo “pamundësi” ndodh kur gazetarët gjatë punës së tyre rutinë, përballen me sulme dhe kërcënime të ndryshme, ku si rrjedhojë, në raste të tilla, gazetarët hasin në barriera për të kryer punët e tyre në shërbim të publikut.
Sulmet ndaj punonjësve të medias, përkatësisht ndaj gazetarëve janë trajtuar dhe vazhdojnë të konsiderohen si sulme të drejtpërdrejta ndaj fjalës dhe mendimit të lirë, si një e drejtë elementare njerëzore e cila garantohet jo vetëm me ligjet vendase, por edhe me shumë konventa ndërkombëtare, ndër të cilat edhe me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut në të cilën thuhet se: “Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe shprehjes; kjo e drejtë përfshinë lirinë për të mbajtur mendime pa ndërhyrje. Lirinë për të kërkuar, pranuar dhe dhënë informacion dhe ide nëpërmjet çdo mediumi, pavarësisht nga kufijtë”.
Liria e të shprehurit dhe e informimit është gurë-themeli i demokracisë së një vendi. Fatkeqësisht, sulmet, dhuna dhe kërcënimet ndaj gazetarëve nuk janë një risi dhe as shumë të rralla.
Pak javë më parë, në Mal të Zi ndodhën sulme ndaj gazetarëve të cilat zgjuan vëmendjen e opinionit, të shoqërisë civile, të qeverisë, por edhe të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare të cilat i dënuan fuqishëm sulmet ndaj gazetarëve.
Parlamenti Evropian, duke u deklaruar për sulmet e fundit ndaj gazetarëve në Mal të Zi, ka dënuar ashpër të gjitha llojet e sulmeve ndaj mediave dhe gazetarëve, duke bërë apel që urgjentisht të fillojnë hetimet efikase për këto sulme.
Sulmet në fjalë janë dënuar edhe nga adresa të tjera ndërkombëtare, si nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga shoqatat rajonale të gazetarëve, etj.
Gjithashtu, ato u dënuan ashpër edhe nga Sindikata e Medias në Mal të Zi, e cila ndër të tjera ka theksuar se vendimmarrësit duhet që në mënyrë serioze të mendojnë për dënime më të larta kur kemi të bëjmë me sulmet ndaj gazetarëve, sepse siç kanë konsideruar ata, bëhet fjalë për një dukuri të rrezikshme e cila në kontinuitet është e pranishme në Mal të Zi.
Ndërkaq, këto sulme i ka dënuar fuqishëm edhe Ministria e Administratës Publike, Shoqërisë Digjitale dhe Medias, përkatësisht ministrja e këtij dikasteri, znj. Tamara Srzentiq e cila ka iniciuar konsultimet ndërdikasteriale në Qeveri, me iniciativë të Asociacionit të Mediave të Evropës Juglindore, mbi dhënien e statusit të personit zyrtar gazetarëve/eve në Mal të Zi.
Në këtë prizëm, mendoj se sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave, duhet të zgjojnë interesim dhe angazhim shtesë tek institucionet kompetente, në mënyrë që ato të impenjohen më shumë për të vepruar që kjo dukuri të mos bëhet një gjë e zakonshme, sepse gazetarët duhet të gëzojnë liri të plotë për të vepruar në interes të përgjithshëm të shoqërisë, të pandrojtur, pa pengesa në punë dhe në rrethana të volitshme të cilat nuk cenojnë para së gjithash, sigurinë fizike të gazetarëve gjatë kryerjes së misionit të tyre informativ.

Të fundit

më të lexuarat