
Në asnjë qytet në Mal të Zi, mbajtja e zgjedhjeve lokale nuk ka pasur jehonë sikurse në Nikshiq, i cili është i dyti në vend pas Podgoricës për nga numri i banorëve dhe elektorati. Angazhimi i subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhje me lista të veçanta zgjedhore dëshmoi se skena politike në Mal të Zi vazhdon me kursin e mëparshëm, me ndarje dhe përçarje politike, në baza nacionale e fetare kësaj here në popullsinë ortodokse (malazeze e serbe) e cila të përkujton vitet 90-ta të shekullit të kaluar në ish-Jugosllavi. Në një atmosferë të tillë të tensionuar u realizua fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale që i ngjante një referendumi për popullatën lokale.
Rotacion në pushtetin lokal
Në zgjedhjet lokale në Nikshiq të cilat u mbajtën më 14 mars kanë marrë pjesë 6 lista zgjedhore, ku të drejtë vote kanë pasur 58.833 qytetarë, ndërsa këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar 48.160 persona, apo 81.85 %. Në bazë të rezultateve të publikuara nga CEMI, subjektet politike kanë arritur këto rezultate; PDS (DPS) 19.293 vota (40.40 %) , 18 mandate të këshilltarëve, Fronti Demokratik (DF) 12.387 vota (25.90%),11 mandate, Demokratët (DCG) 11.094 vota (23.20%), 10 mandate, URA 2.138 vota (4.50%) 1 mandat, Lëvizja Popullore (NP) 1.558 vota (3.30%), 1 mandat si dhe PSD (SDP), 1.269 vota (2.7%) pa mandat këshilltari.
Nga këto të dhëna del se partia që ka fituar më shumë mandate është PDS-ja e cila kësaj here ka pasur në koalicion edhe disa subjekte të vogla (SD, PL dhe PK), dhe ka fituar 18 mandate të këshilltarëve në pushtetin lokal, por të pamjaftueshëm për shumicën parlamentare lokale prej 41 këshilltarësh. Nga ana tjetër të gjitha subjektet tjera politike kanë marrë gjithsej 23 këshilltarë që së bashku do të formojnë pushtetin lokal, duke e larguar nga aty pas njëzet vitëve PDS-në. Pasi, dy partitë kryesore të opozitës FD e MZD kanë së bashku 21 këshilltarë që janë të mjaftueshëm për të udhëhequr pushtetin lokal, iu mbetët atyre për t’i ftuar edhe dy partitë tjera (me nga 1 këshilltarë) që t’i bashkëngjiten shumicës në parlamentin lokal.
Votimi si në zgjedhjet parlamentare
Pas zgjedhjeve paralamentare më 30 gusht 2020, ku u realizua në mënyrë demokratike rotacioni i pushtetit pas tridhjetë viteve ku fitoi ish opozita parlamentare, provimi i parë i shumicës së re parlamentare ishte në Nikshiq, më 14 mars me rastin e zgjedhjeve lokale. Ishte ky një rast tipik për të dëshmuar seriozitetin e zgjedhjeve parlamentare, se ato nuk kanë qenë të rastit, por rezultat i vetdijes politike të qytetarëve se janë përkushtuar për ndryshim të pushtetit. Atë që e realizuan më 30 gusht 2020, e përseritën në Nikshiq, duke dëshmuar edhe këtu shumicën në parlamentin lokal, duke bërë rotacionin e pushtetit lokal të cilin e ka pasur PDS-ja për njëzet vite. Fitorja e opozitës lokale në Nikshiq, dëshmon se nuk është rastësi por vazhdim i kursit politik të qeverisjes se re edhe në këtë qytet i cili për nga pesha politike dhe numri i banorëve është i dyti në Mal të Zi, pas Podgoricës.
Barometri, tregues i zgjedhjeve
Si barometër tregues të rezultatit të këtyre zgjedhjeve lokale shërbejnë zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit 2020, ku krahasimi për këtë periudhë kohore dëshmon disponimin e elektoratit për mbeshteje të subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhje.
Në këtë aspekt partia e PDS-së e cila ka pasur pushtetin lokal për njëzet vjet, ndonëse ka humbur pushtetin që ishte paralajmëruar me zgjedhjet parlamentare, megjithatë arriti të ruaj elektoratin (40.40%) edhe pse më një rënie prej 294 votash, duke mbetur subjekti më i votuar në këtë qytet.
Nga ana tjetër ndonëse ka pasur mbeshtetje logjistike nga Beogradi zyrtar e gjetiu, Fronti Demokratik( DF) edhe pse është pritur të përsërisë rezultatin e 30 gushtit 2020, ndodhi e kundërta, sepse pësoi rënie nga 37.46% në 25.9%, apo për 5.685 vota. Ndërsa e kundërta ka ndodhur me Demokratë t(DCG) të cilët nga 14.32% arritën në 23.37% , përkatësisht u rritën për 4.257 vota, duke qenë befasia e këtyre zgjedhjeve. Nga ana tjetër rezultat identik me zgjedhjet parlamentare ka pasur edhe URA, ndërsa PSD mbeti jashtë pushtetit lokal, që ishte paralajmëruar që në zgjedhjet parlamentare, si parti e vogël pa mbeshtetje në elektorat.
Zgjedhjet lokale të mbahen në një ditë
Ka kohë që në lidhje me zgjedhjet lokale në Mal të Zi subjektet politike por edhe analistë të ndryshëm kanë shprehur mendimin se do të ishte e arsyeshme që ato të mbahën në një ditë, sikurse mbahen zgjedhjet parlamentare. Një qëndrim i tillë arsyetohet me faktin se në saje të rrjedhave aktuale politike, pothuaj çdo vit do të kemi zgjedhje lokale, andaj, për të eliminuar një dukuri të tillë, është e udhës që të punohet në këtë drejtim nga ana e faktorëve politikë, sepse qytetarët janë të ngopur me zgjedhje.
Ligj i veçantë për zgjedhjet lokale
Pikërisht, në këtë aspekt në kuadër të Komisionit për reformën zgjedhore duhet të trajtohet çështja e zgjedhjeve lokale. Bëhet më dije se ky komision do të punojë deri në fund të qershorit, andaj ekziston kohë e mjaftueshme në këtë drejtim. Por, për të arritur këtë qëllim, duhet të ekzistojë vullneti politik i pushtetit, por edhe i opozitës parlamentare, sepse për tu votuar në Parlament duhet mbeshtetja e 54 deputetëve. Në lidhje me këtë çështje ekziston ideja e miratimit të ligjit të veçantë për zgjedhjet lokale, që do të ishte risi në jetën parlamenatare pluraliste. Po ashtu risi do të jetë edhe votimi me lista të hapura, duke iu mundësuar qytetarëve që të votojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë përfaqësuesit e tyre e jo si deri më tash që janë votuar listat e partive politike. Një veprim i tillë do të ishte në favor të qytetarëve dhe të demokracisë pluraliste.
Relaksim për qytetarët
Nëse do të realizohej kjo ide, do të ishte një relaksim për qytetarët dhe skenën politike në Mal të Zi, sepse do të ishte në favor të uljes së tensioneve politike, dukuri kjo e pranishme kur kemi zgjedhje të veçanta për një komunë, ku rasti i Nikshiqit është shembull tipik i kësaj dukurie. Andaj, mbajtja e zgjedhjeve lokale në një ditë, do të ishte në favor të eliminimit të dukurive të tilla, por edhe të konsolidimit të skenës politike dhe elektoratit në tërë vendin.
