Në vizitë selisë së Fondacionit “Alsar”

Veprimtarja e mirënjohur e krijimtarisë artistike e letrare – piktorja dhe poetja nga Hoti i Kujit të Komunës së Plavës, Kaltrina Hoti, qëndroi në Tiranë, ku ishte mysafire e selisë së Fondacionit “Alsar”. Atë e priti dhe i dëshiroi mirëseardhje kryetari i Fondacionit në fjalë, Mehdi Gurra, i cili në bisedën e ngrohtë dhe miqësore e njoftoi me aktivitetet, veprimtarinë e punës dhe të arriturat e fondacionit në fjalë ndër vite.
Në bisedën konstruktive, në mes tjerash vëmendje i veçantë i është kushtuar mbarëvajtjes së veprimtarive kulturore e kombëtare, nivelit të marrëdhënieve të bashkëpunimit në këtë segment, për realizimin e projekteve të përbashkëta gjithëpërfshirëse që kanë për synim ruajtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore kombëtare shqiptare.
Mysafirja nga Plava, Kaltrina Hoti, në mënyrë analitike dhe koncize, mikpritësit të vet ia ka prezantuar nivelin e gjendjes së veprimtarisë kulturore, artistike e sociale të shqiptarëve në trevën e Plavës, Gucisë dhe më gjerë në Mal të Zi, me përkushtim të veçantë në Galerinë “Hoti”, themeluese dhe menaxhuese e të cilës ajo është, e cila, siç ka thënë ajo, padyshim, vazhdimisht do të jetë në shërbim të fëmijëve dhe të rinjve të Hotit, por edhe të atyre të trevës së komunave të Plavës dhe Gucisë, që janë të interesuar të njoftohen dhe mësojnë për vlerat kulturore kombëtare shqiptare.
Kryetari i Fondacionit “Alsar”, Mehdi Gurra¬, në përfundim të takimit, mysafires nga Plava – menaxhueses së Galerisë “Hoti”, i ka uruar sukses në punën e saj duke i shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit në lëmin e kulturës në projekte të përbashkëta në drejtim të prezantimit dhe promovimit të vlerave kulturore kombëtare shqiptare.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat