Krijimi i urave të bashkëpunimit, prioritet i të dyja palëve

Krijimi i një ure bashkëpunimi në sfera të ndryshme jetësore, veçanërisht për projektet që realizohen përmes IPA-s, ka qenë tematikë e takimit dypalësh që patën drejtori i SHPK “Komunale” në Tuz, z. Nikollë Camaj dhe kryetari i Bashkisë “Malësi e Madhe”, z. Tonin Marinaj, në qytetin e Koplikut.
Drejtori i SHPK “Komunale” z. Nikollë Camaj, në një prononcim për gazetën “Koha Javore” shprehet se qëndrimet e tij si drejtor i një ndërmarrjeje publike, por edhe si lider i një partie nacionale janë që të krijojë ura bashkëpunimi me të gjitha qytetet rajonale dhe më gjerë.
“Jam i mendimit që dikush duhet të inicojë takime të tilla për të krijuar bashkëpunim me çdo qytet, qoftë me qytete të Shqipërisë, Kosovës, të Ballkanit apo edhe të SHBA-së ku atje kemi një qytet simotër, Roçester Hillsin. Unë mendoj se fqinji është adresa e parë ku ne duhet të drejtohemi për bashkëpunim. Këtu mendoj të lidhim ura bashkëpunimi fillimisht me qytetin e Koplikut, pastaj të Shkodrës e kështu me radhë”, u shpreh Camaj.
Ai më tej shton se duke pasur bashkëpunim konstruktiv edhe nga aktivitetet e mëparshme me Bashkinë “Malësi e Madhe”, tha se qëllimi është që bashkëpunimi midis tyre në të ardhmen të intensifikohet.
“E përbashkëta që na lidhë me qytetet më të afërta: Koplikun, Shkodrën, Ulqinin, Tivarin dhe Podgoricën është pellgu i Liqenit të Shkodrës i cili do të ishte me interes për tërheqjen e donatorëve për projketet IPA, për shfrytëzimin dhe valorizimin e potencialit turistik tejet të begatshëm në këtë zonë”, theksoi Camaj.
Për të bashkëpunimi me qytetin e Koplikut, përkatësisht me Bashkinë “Malësi e Madhe” mund të jetë një prioritet në të ardhmen, me shpresë që bashkëpunimi dypalësh do të ngritet në nivelin institucional midis Komunës së Tuzit dhe Bashkisë “Malësi e Madhe”.
“Kryetari i Bashkisë “Malësi e Madhe”, z. Tonin Marinaj, shprehu gatishmëri që në momentin që do të ketë thirrje për implementimin e projekteve IPA, ai do të na propozoi si partner të atyre projekteve. Nga ana tjetër edhe ne nëse do të kemi ndonjë projekt të tillë, ata janë të gatshëm që të shërbejnë si partnerët tonë”, u shreh drejtori i SHPK “Komunale”, z. Nikollë Camaj.
Ky ishte një takim në vargun e takimeve të mëparshme që janë zhvilluar midis dy palëve.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat